Kukësi gjen paqe, Halili bën “Mea Culpa”. Milinkoviç: Na duhen dy fitore

16/12/2017 15:31

Me sa duket është rikthyer paqja te kampionët në fuqi, të paktën sa i përket stafit drejtues, ku trajneri Milinkoviç, në prag të ndeshjes me Teutën ka dalë në konferencën për shtyp përkrah drejtorit të klubit, Naim Halilin.

Ky i fundit madje ka vendosur të marrë përsipër një pjesë të madhe të faturës së kësaj disfate te kuksianët.

“Ka qenë faji im për këtë situatë, pasi merkaton e bëra unë. Sigurisht, në fund nuk i zgjodha unë lojtarët, se për ato vendos trajneri, por unë ia ofrova dhe faji është i imi”, tha Naim Haili, drejtor sportiv i Kukësit.

Në merkaton e verës, skuadrës së Kukësit iu afruan 7 lojtarë: Aliyev, Elis Bakaj, Krkotiç, Shtubina, Hoxha, Idrizi, apo Stivi Frashëri. Sipas Halilit, rreth 3 prej tyre janë krejtësisht zgjedhje të dështuara.

Megjithatë, trajneri Milinkoviç shpreson te fitorja në të dyja ndeshjet e mbetura, ajo të dielën me Teutën dhe në fundjavën e ardhshme në Kukës ndaj Luftëtarit.

“Unë nuk i kam parë ndonjëherë bisedime tona me presidentin si ultimatume. Një skuadër pretendente duhet të fitojë medoemos, që të arrijë objektivat që i ka vënë vetes që në fillim të sezonit. Nuk e prisnim që pas 14 javësh të ishim në këto pozita. Në këtë gjendje që jemi tani, fajin e kemi ne, stafi teknik edhe lojtarët. Megjithatë, ndeshja e radhës është e vështirë, por kemi si synim që të mbyllim këtë vit me dy fitore, në këto dy ndeshje që na kanë mbetur”, tha Mladen Milinkoviç, trajner i Kukësit.

Top Channel