Roja Bregdetare greke ka konfirmuar se 33 shtetas turq, të ndaluar në bordin e një motoskafi mëngjesin e datës 15 dhjetor, në afërsi të ishullit grek Inuses, kanë kërkuar azil politik në Greqi.
Lajmi konfirmohet edhe nga burime lokale, të cilat thonë se bëhet fjalë për një ngarje të pazakontë të ndodhur në ishull prej shumë vitesh.
Kjo për faktin se, është hera e parë që në territorin grek mbërrin një grup kaq i madh shtetasish turq, që kërkojnë azil njëkohësisht.
Burimet lokale thonë se ata janë persona të shkolluar me një nivel të lartë arsimor, mes të cilëve mjekë, avokatë, inxhinierë etj.
Pak pas ndalimit të tyre, ata kanë deklaruar se janë viktima të përndjekies së sistemit të diktatorit Erdogan, siç e kanë quajtur ata presidentin e Turqisë.
Ata kanë kërkuar të pajisen me dokumente dhe leje të posaçme për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt vendeve perëndimore.
Aktualisht ata mbahen në godinën e Rojes Bregdetare të ishullit Xios, ku dhe iu janë ngritur akuza për hyrje të jashtëligjshme në territorin grek, ndërsa procedurat për azilin pritet të zgjasin me një afat disamujor.
Ende nuk dihet nëse Ankaraja do të kërkojë ekstradimin e tyre në Turqi, siç ka ndodhur me rastet e tjera të shtetasve turq që kërkojnë azil në Greqi, apo do të heshtë.
Që prej grushtit të shtetit të ndodhur në Turqi dy vite më parë, qindra shtetas turq kanë kërkuar azil në Greqi. Në disa raste, ata kanë mundur të pajisen me dokumente, ndërsa në disa të tjera vazhdon ende beteja ligjore për të shmangur ekstradimin e tyre në Turqi.
Top Channel