Përplasjet e zgjatura mes Polonisë dhe bllokut europian mbi ngërçin e emigrantëve kanë ngjallur frikën se vendi mundi të largohet nga radhët e BE-së, sidomos pas zhvillimeve të javës së kaluar kur Brukseli vendosi ta ndëshkojë Varshavën që refuzon me kokëfortësi të pranojë azilkërkues, duke i hequr fuqinë e votës në Këshillin Europian.
Për këtë, do të nevojitet sidoqoftë një votë unanime e të gjithë anëtarëve të bllokut, ndaj masa pak shanse ka që të hyjë në fuqi. Lëvizje të ngjashme BE-ja ka ndërmarrë edhe ndaj Hungarisë e Republikës Çeke e është e qartë se të tre vendet do të mbështesin njëra-tjetrën. Brukseli është përpjekur të ndërhyjë në disa raste, kujtojnë analistët, por e bëri këtu shumë, shumë vonë e në masë shumë të vogël.
Duke qenë se heqja e votës në këshill mund të mos funksionojë, atëherë hapi i radhës në përpjekjet për ta vënë Poloninë në rresht me gjithë të tjerët do të jetë “t’ia spërdredhin krahun” financiarisht, duke i kufizuar fondet europiane. Edhe kjo, megjithatë, rrezikon të ketë një efekt krejt të kundërt nga ai që dëshiron blloku dhe praktikisht do ta shtynte vendin jashtë unionit.
Nëse nuk merr kuotën financiare, Polonia mund të thotë lamtumirë, pohon për “Die Zeit” politologia e Universitetit të Varshavës, Renata Mienkoëska. “Më dhemb ta them këtë”, shton ajo, por një “Polexit” nuk është aspak i pamundur.
Eksperti gjerman i çështjeve të Europës Lindore, Milan Nic, ndan tjetër mendim e shprehet se kjo nuk do të ndodhë, pasi Polonia, sipas tij, ka përfitime të mëdha nga ky anëtarësim, e është avantazhuar më shumë se çdo vend tjetër anëtar nga fondet e kohezionit të BE-së.
Top Channel