Abuzimi i fëmijëve, Komisioni: Kisha, beqari vullnetare

15/12/2017 09:47

Hetimi pesëvjeçar mbi abuzimet seksuale në Australi ka dalë në përfundimin se institucionet kanë dështuar rëndë në mbrojtjen e fëmijëve, duke shtyrë kryeministrin të deklarojë se rezultatet e tij kanë ekspozuar një “tragjedi të vërtetë” kombëtare.

Komisioni mbretëror, forma më e lartë e hetimit publik në vend, ka dëgjuar dëshmitë e mbi 8.000 viktimave të abuzimeve. Akuzat e tyre mbulojnë kisha, shkolla dhe klube sportive, duke u shtrirë në dekada të tëra.

Paneli i hetuesve ka dalë me 400 rekomandime mbi lëvizjet që mund të bëhen në të ardhmen për të shmangur skandale të tilla, e një prej tyre i drejtohet kishës katolike me thirrjen t’i japë fund rregullit të rreptë të saj të beqarisë.

Këshilla është që beqaria për priftërinjtë të bëhet vullnetare, sepse, pavarësisht faktit që nuk konsiderohet shkaktare kryesore e abuzimeve, ajo ka kontribuar në masë të madhe tek incidentet e regjistruara, sidomos e gërshetuar edhe me faktorë të tjerë rreziku.

Pretendohet po kështu aplikimi i rrëfimeve të detyrueshme, gjë që pritet të ngjallë debate të mëdha në mbarë botën katolike.

“Ne kurrë nuk do të njohim numrin e vërtetë të fëmijëve të abuzuar”, thuhet në raport. “Ky nuk është rasti i disa ‘mollëve të kalbura’, por i një dështimi serioz kryesor të shoqërisë”, vazhdon ai.

Që nga viti 2013, komisioni mbretëror u ka referuar autoriteteve më shumë se 2.500 akuza. Propozimet e tij, tani do t’i kalojnë për shqyrtim ligjvënësve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA