Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi kundërshtarët e homologut amerikan Donald Trump se kanë dëmtuar Shtetet e Bashkuara me “shpikjen e historive” rreth lidhjeve të tij me Rusinë. Në një konferencë për shtyp tashmë traditë për çdo fundviti, Putin tha se kontaktet mes ekipit të Trump dhe zyrtarëve rusë ishin normale.

“Janë të gjitha shpikje të kundërshtarëve të Trump, për të zhvlerësuar punën e tij”, tha Putin. Ai e vlerësoi presidentin amerikan për “disa arritje të rëndësishme”, por theksoi se nuk ka arritur të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë, diçka që ai shpreson të ndodhë shpejt. Nga ana tjetër Putin siguroi rusët që ushtrisë do t’i kushtohej vëmendje e veçantë, por hodhi poshtë pretendimet se vendi do të rifillonte një tjetër garë armatimesh si në kohën e Luftës së Ftohtë.

Putin tha se goditja e Koresë së Veriut nga ana e Shteteve të Bashkuara do të kishte pasoja katastrofike dhe se shpresonte që të punonte me Uashingtonin për ta zgjidhur këtë krizë. Ai shtoi se Rusia nuk e pranon statusin bërthamor të Koresë së Veriut, por kujtoi se vendi komunist është provokuar nga disa veprime të Shteteve të Bashkuara. “Besojmë se të dy palët duhet të mos e rëndojnë më gjendjen”, deklaroi presidenti rus.

Përsa i përket politikës së brendshme, ish-agjenti i KGB-së tha se nuk shihte asnjë kundërshtar të fortë në garën presidenciale, në të cilën ka ndërmend të garojë si kandidat i pavarur. Megjithatë premtoi se do të punonte për të krijuar një sistem politik më të ekuilibruar.

Por kjo lëvizje e fundit shihet nga kundërshtarët e tij si një përpjekje për të “çimentuar” rolin e tij si baba i kombit dhe jo si pjestar i një force politike. 65-vjeçari qendron në pushtet që prej vitit 2000, si President ose Kryeministër i Rusisë, duke u renditur në vend të dytë vetëm pas diktatorit sovjetik Josef Stalin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA