NBA, Boston dhe Houston nuk ndalen

14/12/2017 12:05

Houston dhe Bostoni nuk kanë ndërmend të frenohen në kampionatin e NBA. Skuadrat kryesues të konferencës së Perëndimit dhe të Lindjes kanë shënuar fitoret e radhës duke mundur respektivisht Charlotte Hornets e Denver Nuggets.

Bostoni e mbylli sfidën me Nuggets me rezultatin 124-118 në një ndeshje që ishte spektakël i vërtetë duke e përforcuar akoma më shumë pozitën e saj në Lindje. Sfida ishte e ekuilibruar deri në fundin e periodës së dytë kur Larkin e Tatum i japin mundësi Bostonit të nisë shkëputjen. Vulën në fitoren e Celtics e vuri Kyrie Irving, autor i 33 pikëve në këtë ndeshje, ndërsa për Denverin shkëlqeu Harris me 36 pikë.

Houston në përballjen me Charlotte regjistroi fitoren e 22 duke e ruajtur vendin e parë në perëndim. 108-96 ishte rezultati me të cilin skuadra teksane e fitoi këtë përballje me Hornets. Diferencën në këtë përballje Houston e bëri që në fundin e periodës së parë teksa mori avantazhin e 15 pikëve në rezultatin 38-23.

Dominimi i teksanëve vijoi dhe në periodën e tretë Houston e thelloi avantazhin me Charlotte në 22 pikë. më pas Rockets e uli disi ritmin e lojës duke u mjaftuar vetëm më administrimin e fitores. Chris Paul ishte njeriu i ndeshjes me 31 pikë, ndërkohë që James Harden këtë radhë u mjaftua me 21 pikë të shënuara

Portland i shkakton një humbje të dhimbshme Miamit teksa e mposhti 102-95. Skuadra nga Floirida për një pjesë të mirë të kohës ishte dominuese ndaj Portland duke krijuar që në fillim të sfidës një avantazh prej 12 pikësh duke lënë të kuptohet se Heat do ta kishte të lehtë këtë fitore. por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve, pasi Portland i drejtuar nga McColum e Lillard që ishte në ditën e tij më të mirë përmbysi gjithçka dhe në minutat e fundit të sfidës i dha goditjen përfundimtare Miamit.

Top Channel