Gjakderdhje në Meksikë pas vrasjes së “El Mencho”-s/ Ushtria zbret në rrugë, ekstradime masive të trafikantëve të drogës në SHBA Të paktën 6.700 myslimanë të komunitetit “Rohingya” janë vrarë brenda një muaji, pas shpërthimit të dhunës në Mianmar gjatë muajit gusht.
Shifra e përcjellë nga “Mjekët pa kufij”, mbështetur në dëshmitë e refugjatëve në Bangladesh, është ndjeshëm më e lartë sesa bilanci zyrtar i 400 jetëve të humbura.
Për organizatën e njohur ndërkombëtare nuk ka tregues më të qartë sesa ky, sa i takon nivelit të shtrirjes së dhunës së autoriteteve të Mianmarit. Mes viktimave të qëlluara me armë zjarri, të djegura apo rrahura për vdekje, numërohen edhe 730 fëmijë të vegjël.
Ushtria e Mianmarit fajëson terroristët për dhunën dhe mohon të ketë pasur ndonjë gabim nga ana e saj. Por “Mjekët pa kufij” ndajnë tjetër mendim për situatën.
“Numri i vdekjeve ka shumë mundësi të jetë nënvlerësuar”, thotë njëri prej drejtuesve të agjencisë humanitare, doktor Sidney Wong.
“Edhe ne vet, – shton ai, – me gjithë dëshmitë që kemi mbledhur, sërish nuk kemi mundur t’i mbulojmë të gjitha kampet e refugjatëve në Bangladesh dhe raportimet nuk përfshijnë rrëfimin e familjeve që nuk arritën kurrë të dalin nga Mianmari”.
“Jemi të bindur se bilanci i rohingyave të vrarë nga 25 gushti deri më 24 shtator është 9.000 vetë, – vazhdon Wong, – e nga këto vdekje, të paktën 6.700 janë pasojë e dhunës”.
Në këtë pikë ka nisur të shtrohet pyetja nëse ky do të ishte një rast për t’u shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila duhet të shohë nëse në Mianmar janë kryer krime kundër njerëzimit.
Top Channel