Kompleksi “Eyes of Tirana”, i projektuar nga një studio daneze me një sipërfaqe prej 55 mijë metra/katrorë, do të ngrihet përpara Sheshit Skënderbej, në pjesën ku bashkohet rruga e Durrësit me rrugën e Kavajës. Godina do të jetë 26 katëshe, me hapësira për hotel, zyra dhe apartamente. Ndërtimi i këtij objekti do të nisë në vitin 2018.
Pas shqetësimit që ngriti Top Channel për mbledhjet jo transparente të KKT-së, Sekretariati Teknik reagoi duke sqaruar se mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Territorit bëhen të mbyllura për publikun, me përjashtim të çështjeve me interes të veçantë, që mund të bëhen edhe të hapura.
Por a kane interes për publikun lejet e ndërtimit që jepen godina shumëkatëshe në zonat elitare të kryeqytetit? Për të kuptuar këtë çështje Top Channel sjell në vëmendje sagën sesi ish-Muzeu i Shkencave të Natyrës tek Rruga Kavajës u shpërngul pas një beteje gjyqësore me persona që pretendonin truallin dhe tani mbi këtë tokë do të ndërtohet një godinë e re, leja për të cilën i miratua pikërisht në KKT në një mbledhje me dyer të mbyllura.
Muzeu i Shkencave të Natyrës, unik për nga lloji i tij është një institucion në varësi të Universitetit të Tiranës. Ish-drejtori i këtij muzeu, profesor/doktor Idriz Haxhiu, personi që luftoi me mish e me shpirt që ky aset i shkencës shqiptare të mos shpërngulej thotë se sipas ligjit, ashtu si çdo institucion arsimor ky muze nuk duhej të lëvizej, pavarësisht pretendimeve mbi pronësinë.
“E supozojmë që ka pasur pronarë, por ky është një institucion arsimor shkencor, pasi një shkollë, biles një super shkollë, sepse këtu vinin e mësonin shkolla të Tiranës dhe nga gjithë Shqipëria, nga autoritetet nuk u quajt asnjëherë që është institucion arsimor, sepse asnjë shkollë në Shqipëri, që ka pas pronarë të sigurtë nuk është shkatërruar. Pronarit i është dhënë prona diku tjetër, sipas rregullave”, thotë profesor Haxhiu.
Por trysnia ka qenë e fortë kur flitet për interesa të mëdha ekonomike dhe siç ndodh zakonisht në një gjyq civil ku palë është shteti, fitues është pala private.
“Aty janë bërë rreth 6 vjet gjyq. Në gjyqin e Shkallës së Parë ne fituam, më pas në gjyqet e shkalleve të tjera nuk na ka pyet kush më”, tregon profesor Idriz Haxhiu.
Tani në truallin e ish-Muzet të Shkencave të Natyrës do të ngrihet kompleksi “Garden Building”, me një lartësi që shkon deri në 24 kate dhe profesor Idriz Haxhiu nuk e imagjon dot sesi një aset i tillë shkencor, puna për të cilin ka nisur që në vitet 40, të zëvendësohet me tulla e beton.
“Unë nuk mund të kaloj aty se ka ikur Muzeu. Unë nuk shkoj, nuk kaloj dot aty. Unë kam një dhimbje të jashtëzakonshme për atë pasuri të jashtëzakonshme”, shprehet ish-drejtori i Muzeut të Shkencave.
Sot Muzeu i Shkencave të Natyrës është zhvendosur në godinën e ish-Ansamblit të Ushtrisë, pranë Tregut Elektrik. Ky muze përmban rreth 3000 lloje speciesh dhe çdo vit vizitohet nga rreth 2500 persona.
Top Channel