Prej orës gjashtë të mëngjesit, Greqia është paralizuar nga një grevë e përgjithshme 24 orëshe që organizojnë konfederata e sektorit publik ADEDY dhe atij privat GSEE.

Është greva e 45 që prej vitit 2010 kur filloi në Greqi zbatimi i masave të rrepta të kursimit, të cilat vazhdojnë edhe pas shtatë vitesh. Sindikalistet greke protestojnë ndaj politikës qeveritare për kushtet e punësimit si dhe rritjes së taksave që kanë gjunjëzuar qytetarët.

Në grevë marrin pjesë nëpunësit e administratës civile dhe lokale, mësuesit, nëpunësit e bankave. Spitalet do të funksionojnë me personel sigurie, mjetet e shërbimit urban do të punojnë në mënyrë të reduktuar, anijet qëndrojnë të ankoruara në portë, shumë fluturime janë anuluar ose është ndryshuar orari i tyre.

Gjithashtu në grevë ndodhen edhe të gjithë gazetarët dhe nëpunësit e mediave. Sindikatat parashtrojnë kërkesat e tyre në mitingje të mëdha protestë në Athinë, Selanik dhe qytetet e mëdha të vendit.

Megjithëse Greqia ka arritur për herë të parë këtë vit, prej fillimit të krizës, një rritje ekonomike për tre tremujore rrjesht, papunësia është ulur nga 27% në 20%,depozitat bankare janë stabilizuar, çmimet e obligacioneve bankare kanë rënë dhe duken shenjat e para se vendi mund të dalë nga programet e ndihmës, përsëri ekonomia vazhdon të përballet me sfida të mëdha pasi reabilitimi i dëmeve të shkaktuara nga kriza kërkon shumë kohë.

Edhe sondazhet e shumta tregojnë, përveç diferencës mbi 9 pikë të konservatorëve që udhëheqin ndaj partisë qeveritare Syriza, frymën e pakënaqësisë së qytetarëve që nuk ndjejnë ende shenjat e përmirësimit te zhvillimit ekonomik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA