RoActemra, ilaç i përdorur për kurimin e artritit reumatik është vetëm një prej dhjetëra barnave që po zhduken me shpejtësi nga raftet e farmacive bullgare.
Fenomeni është duke marrë përmasa gjithmonë e më shqetësuese në vendin europiano-lindor, prej 10 vitesh anëtar të Bashkimit Europian. Medikamentet nuk mungojnë; ato thjesht shiten në vende të tjera të bllokut kundrejt një fitimi të majme.
Distributorët e përfshirë në këtë aferrë konsiderohen trafikantë, vetëm se të një tjetër natyre: bëhet fjalë për individë të specializuar në farmaceutikën e patentuar të cilët shfrytëzojnë ndryshimin e çmimeve përtej kufijve. Sipas rregullave në fuqi të Bashkimit Europian mbi lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, gjithçka është mëse legjitime. E ashtëquajtura “tregti paralele” funksionon në këtë mënyrë:
– distributorët e autorizuar importojnë ilaçe nga kompanitë shumëkombëshe- prodhuese të tyre në vende si Bullgaria, Greqia apo Portugalia ku çmimi i medikamentit në fjalë është relativisht i lirë. Nga këtu, disa prej barnave, zakonisht 10% e tyre, eksportohen drejt shteteve perëndimore si Gjermania, Britania apo Holanda ku i njëjti mjekim, kushton shumë me tepër.
Ilaçet ripaketohen, e i vendosen etiketa në gjuhën e tregut të ri ku ato do të shiten mjaft më shtrenjtë. Më shumë se 320 distributoreve i lejohet praktikisht sipas BIRN-it zhvillimi i një tregtie të tillë paralele nga Agjencia Bullgare e Barnave, BDA. Shumë vende kanë marrë masa të forta për të parandaluar mungesën e ilaçeve brenda kufijve për shkak të eksportit drejt anëtarëve të tjerë të bllokut, por në Bullgari, toleranca e kontrolleve konsiderohet si një ndër më të lartat në Europë.
Disa spitale ndërkohë, sipas zyrtarëve vendas të shëndetësisë, mund të falsifikojnë të dhënat duke e ekzagjeruar shumë sasinë e ilaçeve të nevojshme për trajtimet e kushtueshme kundër kancerit, dhe kjo krijon një surplus medikamentesh të vyera të cilat mund të shiten sërish.
Top Channel