Gjykata e Krimeve të Rënda ka refuzuar të lirojë nga paraburgimi Emiljano Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij në procesin që po zhvillohet për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në formën e grupit kriminal.

Trupi gjykues nuk pranoi kërkesat për ndryshim mase, duke lënë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg. Ndërkohë gjatë seancës së të mërkurës u realizuan edhe tre ballafaqime. I pari ishte mes noteres Aida Spahiu dhe biznesmenit Ylvi Beqja, që pretendon se i ka dhuruar një pjesë të ish hotel Vollgës, Shullazit, pasi ky i fundit e ka kërcënuar me armë edhe në zyrën e noteres.

Por noterja i qëndroi dëshmisë së saj, para dhe gjatë firmosjes së kontratës së dhurimit, nuk kishte parë asnjë kërcënim. Të njëjtin qëndrim noterja e mbajti edhe gjatë ballafaqimit me kunatin e Beqajt, Besnik Musai, i cili dëshmoi se biznesmeni ishte kërcënuar me pistoletë në bark nga Shullazi, përpara se të firmosnin kontratën e dhurimit.

Edhe ish truproja e Ylvi Beqajt, Romeo Tarja gjatë ballafaqimit, mohoi të kishte dijeni apo të kishte parë kërcënime të Shullazit apo të akuzuarve të tjerë në këtë proces ndaj biznesmenit që e ruante. Pas këtyre ballafaqimeve dëshmitë mbeten si më parë, me kontradita të theksuara mbi faktet e pretenduara të kërcënimit. Ndërkohë në fund të seancës, i pandehuri Emiljano Shullazi replikoi me prokuroren e çështjes, duke deklaruar se do të sillte në gjyq fakte të reja që dëshmojnë pafajësinë e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA