Shumica e mbetjeve që ndosin brigjet kroate mbërrijnë nga vendet fqinje: Shqipëria, Greqia e Mali i Zi, e problemi sipas autoriteteve vendase është i vazhdueshëm.
Në muajin tetor, thasë të tëra me mbeturina, sidomos plastike, u hoqën nga brigjet e ishullit të Lastovës, më i fundit i shpallur “park natyror” në vend.
Për shkak të rrymave detare, problemi i mbetjeve detare në Kroaci është përsëritur parreshtur, e dallgët e ngritura gjatë stuhive apo erërave të forta e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Ndodh shpesh që pas një përkeqësimi të tillë të motit, zona të tëra të bregdetit të mbulohen nga mbeturinat që pluskojnë mbi ujë, shumica shishe plastike.
Katër vite më parë, banorët e Raguzës ankoheshin se deti u ndotej prej mbetjeve nga Shqipëria, që përfshinin deri edhe produkte farmaceutike apo këpucë.
Mediet italiane shkruanin asokohe se fenomeni përsëritet përvit, duke u theksuar më shumë në periudhën mars-prill.
Për një kohë të gjatë, si shkaktarë kryesorë të një ndotjeje të tillë janë lakuar Drini dhe Buna. Kombinimi me erërat e Jugut gjatë sezonit të dimrit i zhvendos mbetjet shqiptare me shpejtësi drejt bregdetit kroat.
Top Channel