Botërori i Klubeve, Reali eliminon “të magjishmen” Al Jazira

13/12/2017 20:36

Reali i Madridit është finalisti i dytë i Botërorit të Klubeve, por biletën për në finalen e madhe e preu pas shumë vuajtjesh.

Një ndeshje “e çmendur” ishte ajo e zhvilluar në Al Ain, ku kampionët e botës në fuqi për klube mposhtën 2-1 Al Jazirën, pas një përmbysjeje rezultati, pas një djersitjeje përtej pritshmërive, por edhe goditjeve të shtyllave, traversës dhe golave të anuluar.

Gjithsesi, në finale “Los Blancos” do të përballen me brazilianët e Gremios, ndeshje që do të zhvillohet të shtunën në orën 18.

Por të kthehemi te ndeshja. Ajo që ndodhi në stadiumin “Hazza bin Zayed” ishte mes të pamundurës dhe surreales. Në 10 minutat e para, portieri Ali Khaseif ndërhyn plot 6 herë, duke i mohuar golat e sigurtë të gjithëve, me një seri pritjesh të mrekullueshme, por edhe falë ndihmës së shtyllës dhe traversës. Në këtë pikë, atyre që iu mohua gëzimi ishin Ronaldo, Modriç dhe Benzema.

Por ky ishte vetëm fillimi, pasi Khaseif tregon veten e tij edhe ndaj Modriç dhe Varane, teksa shokët e tij ishin thuajse të paaftë për të mbajtur topin në zotërim për më shumë se 2 sekonda.

Shkaku që rriti tensionin për Zidane ishin dy gola të anuluar, së pari i Benzemasë për faullin e nervozit Cristiano Ronaldo, e së dyti i Casemiros, pas një rishikimi të tejzgjatur të sistemit elektronik të videoarbitrazhit (VAR), në minutën e 24-t.

Pas kësaj situatë, Al Jazira duket se me kalimin e minutave mori zemër për të rrezikuar përmes kundërsulmeve, duke frikësuar për herë të parë Keylor Navas, përpara se në minutën e 41-të të ndodhte edhe e pabesueshmja: avantazhi i të zotëve të shtëpisë pas kombinimit mes Romarinhos dhe Achraf.

“Los Blancos” u detyruan të futeshin në dhomat e zhveshjes me disavantazhin e një goli, edhe pse kishin gjuajtur në portë plot 17 herë kundrejt 3 të arabëve, por edhe mes delirit të publikut vendas.

Edhe më i çmendur ishte fillimi i pjesës së dytë. Një tjetër kundërsulm nga Al Jazira, me dy lojtarë pa asnjë kundërshtar të Realit përpara, por Boussoufa e mori topin në pozicion jashtë loje përpara se të shënonte golin e dytë. Sigurisht, VAR-i erdhi sërish në ndihmë dhe anuloi golin. “Monstra” e vërtetë e kësaj ndeshjeje, Khaseif kërkoi ndërkohë ndërrimin e detyruar si pasojë e një tërheqjeje muskulare.

Nga këtu shuhet “magjia” Al Jazira. Në minutën e 53-të Modriç gjen Ronaldon, me portugezin që shënon golin e barazimit. Ky është edhe një rekord personal për të, pasi ishte goli i 6 i shënuar në një Botëror Klubesh, një më shumë sesa Messi, Suarez dhe Delgado, duke u bërë kështu kryegolashënuesi i turneut, siç është edhe golashënuesi më i mirë i Championsit, i Realit vet dhe i Europianëve.

Por ai që vulosi gjithçka ishte Bale, me uellsianin që u fut si zëvendësues i Benzemasë. Lëvizja rezultoi e suksesshme për Zidane, pasi pa anësorin e majtë të shënonte vetëm pas një minute në fushë: 2-1 për Realin dhe finalja e garantuar me Gremion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA