Ferri i zjarreve në Kaliforni nuk ka të ndalur, e sot flakët që po zhurisin pjesë të tëra të këtij shteti amerikan shtrihen në një sipërfaqe më të madhe sesa qyteti i Nju Jorkut dhe Bostonit bashkë.
Më shkatërruesi i 6 zjarreve, që digjen furishëm prej javësh të tëra tashmë, i pagëzuar nga autoritetet atje si “Thomas” vazhdon i pafrenuar përhapjen dhe gjatë këtyre ditëve ka gllabëruar me qindra kilometra katrorë.
I ushqyer nga erërat e forta, “Thomas”-i nuk ndalet. Përpjekjet e pakursyera të zjarrfikësve nuk kanë mundur ta frenojnë, përveçse me 10% vrullin e tij.
Evakuime të reja u urdhëruan të dielën, ndërsa zjarri masiv iu afrua rrezikshëm disa qyteteve bregdetare. Banorëve të Karpinterisë dhe Montecitos iu kërkua të largoheshin me urgjencë, ndërsa flakët përhapeshin drejt Santa Barbarës, rreth 160 kilometra në perëndim të Los Angelesit.
Mbi 94 mijë vetë janë shpërngulur deri tani për shkak të zjarreve tejet të vështira për t’u luftuar.
“Pjesa e nxehtë” e disave prej tyre, praktikisht mbërrin deri në oqean, gjë që ia vështirëson ndjeshëm qasjen skuadrave zjarrfikëse.
Ndërsa vëzhgonte të shtunën dëmin e bërë kontesë Ventura, më e madhja për prodhimin e avokadove, guvernatori i Kalifornisë Jerry Broën deklaroi se aktiviteti i zjarreve masive mund të ndodhë tani në bazë të rregullt për dekada të tëra, duke rrezikuar të kthehet në atë që ai e quajti “normaliteti i ri”.
Top Channel