Lukaku, një dështim. Asnjë gol në 12 nga 14 ndeshjet e fundit

11/12/2017 18:10

Në ndeshjen që vlente më shumë për tifozët dhe për klasifikimin, “mister 80 milionëshi” i Manchester United nuk arriti të lërë shenjë, madje u bë më shumë protagonist për incidentet pas humbjes ndaj Cityt.

Romelu Lukaku po kthehet në një zhgënjim për tifozët e “Djajve të kuq”, pasi nuk ka arritur të shënojë në 12 nga 14 ndeshjet e fundit, e kjo është pak për një skuadër që synon titullin.

Sulmuesi i kombëtares belge e mbylli ndeshjen e fundit pa asnjë gol, madje ashtu siç ka bërë sezonet e fundit, nuk ka shënuar dot ndaj 6 skuadrave të para të renditjes.

Në një paralele me Harry Kane, sulmuesi anglez ka të njëjtin numër golash, por me vetëm gjysmën e ndeshjeve. Kritikët e cilësojnë Lukakun një futbollist që thuajse rri në mënyrë statike, por këtë sezon ai ka përshkuar 148.4 kilometra në total dhe ka kryer 722 sprinte.

Vetëm Jamie Vardy është më i shpejtë sesa ai në Premier League.

Bomberi me ngjyrë i Manchester United gëzon ende besimin e trajnerit Mourinho, por me një pankinë shpërthyese që vështirë të kontrollohet me lojtarë si Ibrahimoviç, tekniku luzitan mund të bëjë shpejt ndryshime.

Lukaku ka pasur një rrjedhë loje shumë të mirë me mesfushën, por me mungesën e Paul Pogba u limitua në një lojtar normal në derbin e së dielës.

Barra e rëndë e milionave, që klubi e pagoi, ndoshta do të rëndojë situatën rreth sulmuesit, që ka një saktësi prej 58% të goditjeve në portë, por ka vetëm 66% saktësi në pasime, nivel që lë për të dëshiruar.

Top Channel