Bosi i Mercedesit në Formula 1, Toto Wolff beson se brenda ekipit të tij duhet një “çekuilibër” mes Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas, në mënyrë që dy pilotët të performojnë në nivelet më të larta të mundshme.
Hamilton dhe Bottas u morën vesh shumë mirë me njëri-tjetrin gjatë sezonit të parë si kolegë skuadre, duke ndryshuar kështu atmosferën te Mercedesi, pas tensioneve trevjeçare në luftën për titull mes Hamiltonit dhe gjermanit Nico Rosberg.
Wolff e bëri të qartë dëshirën e tij që t’i ketë të dy pilotët pretendentë për titullin kampion në kampionatin e vitit të ardhshëm, pasi kjo gjë do të ndihmojë në rritjen e nivelit të përgjithshëm të të gjithë skuderisë, edhe pse ndoshta mund të rezultojë e vështirë për t’u menaxhuar.
“Nuk mendoj se duhet të shmangim situatat stresuese, – tha drejtuesi austriak i Mercedesit. – Duhet ta pranojmë se, nëse dy shokë skuadre luftojnë për të fituar garat, e pse jo edhe kampionatin, ky do të ishte një rivalitet konstruktiv. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe ta pranojmë nëse vihemi përballë një situate të tillë. Ne nuk po përpiqemi të krijojmë një familje të re këtu, por duhet të kërkojmë që të jemi skuderia më efektive në këtë sport, e që të kemi diçka të tillë duhet të kemi stres, tensione, madje edhe mosmarrëveshje, po aq sa qetësi dhe sjellje pozitive e me mendje të kthjellët në skuadër”, theksoi Wolff.
Sipas tij, sikurse ndodh në çdo aspekt të jetës, edhe në Formula 1 duhet t’i kesh të dyja këto qasje, pasi kjo përbën ndoshta edhe recetën për sukses të garantuar.
Top Channel