Disfata taktike e Mourinhos dhe stili “katalanas” i Cityt të Guardiolës

11/12/2017 16:41

Pep Guardiola lavdëroi ekipin e tij Manchester City për fitoren e stilit “Barcelona”, pasi mposhtën 2-1 rivalët e Manchester United në “Old Trafford” pasditen e së dielës. Nicolas Otamenti shënoi golin e fitores në pjesën e dytë, teksa City hodhi një hap më tej drejt titullit kampion në Premier League, pasi e zgjeroi në 11 pikë kryesimin e renditjes.

Por cilat janë aspektet që i dhanë, nga njëra anë fitoren Cityt dhe nga ana tjetër humbjen United? Si e mposhti Guardiola me një inteligjencë të paparë rivalin e tij Jose Mourinho? Taktikat dhe ato që nuk mundët t’i shihnit drejtpërdrejt gjatë ndeshjes, vijnë përmes një analize të “Daily Mail”.

Sterling, një futbollist në rolin e “9-shit fals” dhe stili i Barcelonës
Pep Guardiola tha pas ndeshjes se, kjo ishte prova e duhur që tregon se “stili i Barçës” mund të funksionojë edhe në Angli. Ai iu referua dominimit absolut të mbajtjes së topit nga ana e Cityt, por kjo mund të ketë ndodhur edhe për shkak të mënyrës sesi ai e hodhi në fushë skuadrën e tij. Askush nuk priste që Gabriel Jesus të luante në të majtë, Leroy Sane në të djathtën, e mbi të gjitha Raheem Sterling në qendër të sulmit, por në pozicionin e “9-shit fals”. Që të tre ata, në letër duheshin vendosur në pozicione të tjera, por në mendjen e Guardiolës, kjo nuk është një gjë e re. Ai e përdori Sterlingun në të njëjtin pozicion që shpiku për Lionel Messin kur drejtonte në “Camp Nou”. Edhe pse ky eksperiment është përdorur edhe për lojtarë të tjerë, askush nuk e ka imituar më parë një stil të ngjashëm me Messin, siç bëri Sterling për Cityn të dielën. Kjo bëri që Jesus dhe Sane të përputheshin në lojën e tyre e të dukeshin si sulmues brenda zonës së rreptësisë, si David Villa e Pedro në të kaluarën te Barcelona. Nga fusha e blertë u duk se City po luante me një mesfushë në formë rombi, gjë që bëri që të shfrytëzohej më së miri mungesa e mesfushorëv qendrore të United. Kjo bëri që ata të bënin pikërisht atë që iu kërkonte Guardiola: pasim, pasim, pasim. E jo vetëm që u shfaqën dominantë në mesfushë, për duke qenë se ishin 3 kundër dy të Mourinhos, por Sterling shpesh e bënte formacionin të dukej si me 4 mesfushorë. I vetmi dështim duket se ishte ai i Jesus dhe Sane, që nuk shfrytëzuan në maksimum shanset që iu krijuan përballë mbrojtësve, tepër të fortë por të avashtë, të United. E thënë thjesht, kjo ndeshje ishte një kthim prapa në kohë për Guardiolën, në taktikat e vitit 2011, atëherë kur e mposhtte rregullisht Mourinhon në Spanjë.

Goditjet standarde të Man City bënë kërdinë
Ekipet që jo domosdoshmërisht kanë stilin më të mirë të lojës së hapur, shpesh i kthejnë sytë nga goditjet standarde për të marrë diçka më shumë nga një ndeshje. Por kjo nuk do të thotë se është një taktikë “e pavlefshme” për ekipet që shkëlqejnë në lojë. Nëse shfrytëzohet siç duhet, kjo është një mënyrë shumë e lehtë për të thyer një mbrojtje kundërshtar shtatlartësh. Përpara ndeshjes, tifozët mund të mendonin se City nuk do t’ia dilte vetëm falë goditjeve standarde, por ndodhi krejtësisht e kundërta, pasi ekipi i Guardiolës shënoi dy herë falë tyre. City zakonisht e bën këtë gjë në çdo ndeshje, ashtu sikurse Barcelona e bënte gjithmonë nën drejtimin e Guardiolës. Mjafton të përmendim Gerard Pique që pati një rekord tejet të mirë të golave të shënuar nën drejtimin e trajnerit katalanas. Kjo mënyrë loje është nga të paktat situata, kur parkimi i një “autobusi” përpara portës nuk e bën dot diferencën, sepse goditjet e dënimit zakonisht barazojnë gjithçka mund të bëhet në zonën e rreptësisë gjatë ndeshjes. Kjo është edhe arsyeja pse Nicolas Otamendi ka shënuar dy gola në dy takimet e fundit, e 4 në total deri më tani në Premier League. Por ajo që ka kuptuar Guardiola është pikërisht deficiti i mënyrës sesi mbrojnë ekipet e Mourinhos në rastet e goditjeve standarde. Të dyja golat erdhën nga lojtarë që prisnin topin e dytë brenda zonës së rreptësisë. Trajneri i Cityt e ka kuptuar se United do të thyhej shumë shpejt pas çdo situate mbrojtëse, duke lënë hapësira pas në momentin që largojnë topin e parë me kokë.

Beteja e mesfushës dhe…mungesa e Pogba
Jose Mourinho hoqi dorë nga fitimi i betejës në mesfushë kur zyrtarizoi formacionin, kjo edhe për shkak se i kishte tepër të kufizuara alternativat. United ishte pa Pogba, për shkak pezullimi, por francezi ishte “tmerri” i mesfushës në ndeshjen përballë Arsenalit. Megjithatë, duket e palogjikshme zgjedhja e tij për të luajtur me Ander Herrera dhe Nemanja Matiç kundër një skuadre si City, një ekip që rrallëherë luan me më pak se 3 lojtarë në mesfushë, shto këtu edhe kthimet e Sterling që i katërfishonte forcat në këtë repart. Herrera ishte mesfushori më i spikatur sezonin e kaluar, e një nga më të vështirët për t’u përballur në Premier League, përveçse është besniku më i madh i Mourinhos, por sërish u duk tërësisht i humbur ndaj Cityt. Por si ka mundësi që një ekip, që ka shpenzuar kaq shumë gjatë 3 merkatove të fundit, të kthehet kaq shumë i varur nga një lojtar në mesfushë? Mungesa e Pogbasë nënkuptonte se “djajtë e kuq” nuk do të mundeshin të kontrollonin mesfushën, pasi nuk kishin asnjë në nivelin e duhur për të sfiduar Kevin De Bruyne dhe David Silvën. Kjo bëri që City thjesht të krijonte “trekëndësha” përreth mesfushorëve të United, duke e bërë këtë të fundit të vuante shumë. Vendasit u dukën shumë të lodhur, aq sa nuk kishin një lojtar që të mund të mbante topin, t’i jepte hapësirë frymëmarrjeje skuadrës, për të nisur një aksion. Statistikat në fund të ndeshjes tregojnë se portieri Ederson kreu plot 34 pasime, më shumë sesa Ander Herrera me 32, ndërsa Nemanja Matiç kreu vetëm 12 pasime më shumë sesa Ilkay Gundogan, që luajti vetëm 45 minuta.

Linja mbrojtëse e Cityt e bëri fushën të dukej “më e vogël”
Është shumë e thjeshtë për t’u harruar se City e mbylli ndeshjen me një mbrojtje të përbërë nga Kyle Ëalker, Otamendi, Eliaquim Mangala dhe Fabian Delph. Varësisht nga pikëpamja e çdo tifozi ndaj Vincent Kompany, me bindje mund të thuhet se 3 nga këta 4 mbrojtës nuk janë zgjedhje e parë, për të mos harruar se Delph është…një mesfushor. E megjithatë, ata sërish u dukën të pashqetësuar, deri në ndërhyrjen e dyfishtë të Ederson në 10 minutat e fundit. United nuk pati raste reale për ta kaluar këtë vijë mbrojtjeje. Por pse? Kjo sepse “harta e fushës” përfaqëson diçka. Fakti që linja mbrojtëse e Cityt ishte e vendosur shumë lart, shumë pranë vijës së mesfushës, kjo bënte që lojtarët sprintierë të United, Jesse Lingard apo Anthony Martial të ndaloheshin përpara se të viheshin në një pozicion kërcënues. Kjo sfumoi gjithashtu edhe kundërsulmet që u përpoqën të ndërmerrnin “djajtë e kuq”. Pasoja tjetër ka të bëjë me Zlatan Ibrahimoviçin, që u duk tepër i pafuqishëm kur u fut në fushë. Suedezi u përpoq të thyente mbrojtjen kundërshtare, por mungesa e shpejtësisë së tij e bënte që të kapej shpeshherë në pozicion jashtë loje. Edhe Lukaku, një lojtar shumë i shpejtë, nuk pati mundësi të zotëronte të paktën një herë topin. Kjo tregon se Guardiola, padyshim dhe në mënyrë absolute është një takticien i mbrojtjes.

Problemet e vazhdueshme të Romelu Lukaku
Një vëzhgim edhe ndaj Romelu Lukaku. Diçka mund të ketë ndryshuar qartësisht, sepse ai thjesht nuk mundet ta çojë më topin në rrjetën kundërshtare. Wayne Rooney, sulmuesi 32-vjeçar që luan si mesfushor qendror tek Evertoni që luftonte për mbijetesë pak javë më parë, tashmë numëron më shumë gola në Premier League sesa Lukaku këtë sezon. Mungesa e kompaktësisë së ekipit bëri që belgu të kishte një ditë për t’u harruar në “Old Trafford”. Ai e preku topin vetëm 3 herë në zonën e Cityt, dy prej të cilave e kishte në zotërim vet, por nga të dyja këto raste nisën edhe golat e Cityt.

Perspektiva “qesharake” e mbrojtjes së United
Manchester United e mbylli ndeshjen me 35% të mbajtjes së topit, më e ulëta në “Old Trafford” në një kampionat të Premier League që prej sezonit 2003-2004, ose më saktë që prej kohës kur nisi të regjistrohej kjo statistikë. Mourinho e ka ditur gjithmonë që duhet ta zgjidhë me kujdes këtë problem, por mund të ketë mësuar ndonjë leksion nga takimi kundër Guardiolës. Rekordi i tij personal ndaj skuadrave të Guardiolës është i tmerrshëm: 4 fitore kundrejt 9 të katalanasit. “Djajtë e kuq” luajtën me 4 mbrojtësa në letër, por kjo bëhej shpesh 6 në praktikë, e deri në 9 lojtarë në prapavijë në realitet. Kur City mbante topin, vetëm Lukaku ishte lojtari që shihej përtej gjysmëfushës. Manchester City e lodhi ekipin e Mourinhos, është e njëjta gjë që bëjnë gjithmonë ndaj skuadrave që mbrohen fort ndaj tyre, kjo është arsyeja pse “Citizens” shënojnë gola në minutat e fundit.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel