Nuk ishte aspak rastësi, por një realitet i pakundërshtueshëm. Lushnja guxoi, provoi dhe ja doli të fitojë përballë kampionëve në fuqi, madje në shtëpinë e tyre. 1-3 për lagunarët u mbyll sfida hapëse e javës së 14-të të Superiores, luajtur në Zeqir Ymerit.
Ndërsa pritej që Kukësi të ndryshonte kursin pas humbjes me Skënderbeun një javë më parë, takimi nisi me befasinë e miqve nga Lushnja që me sulme modeste dhe me një rreshtim të mirë vendosën rrjedhën e takimit. Goli i shënuar në minutën e 11-të nga Prençi ishte sinjali i parë i qartë që për Kukësin që kjo do të ishte një ndeshje e vështirë.
Përpjekjet e vendasve në këtë pjesë të parë ishin pa rezultat edhe pse qarkullimi i topit ishte shumë më i madh. Me të njëjtin ritëm kuksianët e nisën dhe pjesën e dytë. Dhe një veprimi individual të mirë nga Bakaj, bëri që shifrat u barazuan në 1-1.
Lushnja e vendosur mirë mbrapa la pak hapësira pas këtij momenti dhe shfrytëzoi më shumë kundërsulmin. Pikërisht nga një i tillë, përfitoi edhe Sefa në minutën e 66-të. Gjuajtja e tij modeste në hyrje të zonës, rezultoi e pakapshme për portierin Koliqi.
Kukësi bëri të gjitha zëvëndësimet e mundshme për të shtuar forcën sulmuese, por pikërisht atëherë kur nuk pritej, Lushnja goditi sërish. Dhe një herë Sefa brenda zonës me shumë qetësi e dërgoi topin për herë të tretë në rrjetën e Kukësit.
Kjo është humbja e katërt sezonale për Kukësin, ndërsa Lushnja merr fitoren e dytë sezone dhe ngjitet në kuotën e 8 pikëve
Top Channel