Lajmi për vizat në Kosovë është çështje javësh dhe lëvizja e lirë pas kësaj do të mbërrijë për disa muaj.
Kryeministri Ramush Haradinaj doli me një afat të ri pasi e pranoi se premtimi i tij për lëvizjen e lirë pa viza brenda 90 ditëve të para të qeverisjes se vet, nuk është përmbushur.
“Mendoj se njoftimin pozitiv për liberalizimin e vizave do ta marrim shumë shpejt”, u shpreh Haradinaj që gjatë këtij muaji do të udhëtojë drejt kryeqytetit belg.
Kosova sipas kreut të ekzekutivit, nuk do të jetë pjesë e takimeve në tryeza ku nuk respektohet, por do të jetë e barabartë. “Në 18 dhjetor kam vizitën në Bruksel”, citohet ai nga mediat vendase, “nuk kam premtuar asgjë. Kosova duhet të marrë atë që i takon ose s’ka pse të marrë pjesë në këto takime”.
Një ditë më parë, numri dy i qeverisë Behgjet Pacolli, deklaroi se liberalizimi i vizave pritet të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2018. kosovarët kanë që prej vitit 2011 që dëgjojnë zotime qeveritare për lëvizje të lirë.
Kushti i vendosur Kosovës për lëvizjen pa viza në zonën Schengen është arritja e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të mbështetur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, por të kundërshtuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Haradinaj vetë që thekson se komisioni i ngarkuar me këtë çështje e ka vërtetuar se Kosova humbet territor.
Top Channel