“Ringjallet” Dinamo! Ish-basketbollistët krijojnë shoqatën e klubit të shpërbërë

08/12/2017 14:56

Prej vitesh basketbolli shqiptar vazhdon të kalojë vështirësi të shumta, duke i ngjalluar akoma më shumë nostalgjinë e së shkuarës së këtij sporti dhe nëse kthen kokën pas, nuk mund të mbetesh pa kujtuar Dinamon e dikurshme të koshit, e cila ka lënë gjurmë si në historinë e këtij sporti ashtu edhe në mëndjen e sportëdashësve.

Ish-basketbollistët e brezave më të suksesshëm të Dinamos kanë ndërmarrë një nismw krejtësisht private për të ringritur emrin e këtij klubi të madh edhe në basketbollin e meshkujve, duke krijuar “Shoqatën e Basketbollit Dinamo”.

“Jemi një grup ish-sportistësh të Dinamos që kemi ndërmarrë këtë iniciativë për të ringirut emrin e këtij klubi të madh. Për të ndihmuar që të shtohen brezat e rinj dhe të kemi një kontribut në ringritjen dhe përmirësimin e nivelit të basketbollit në tërësi”, thotw Ilir Trebicka, president i “Shoqatës së Basketbollit Dinamo”.

Janë të shumtë të interesuarit për ringritjen e nivelit të basketbollit në përgjithësi dhe në mënyrë të vecantë të emrit të Dinamos. Kjo shoqatë e sapoformuar ka në bordin e saj drejtues si Spiro Shano, Ilir Trebicka, Ilir Gavoci, Alfred Rrushaj, Olsi Rama e të tjerë, ndërkohë që President kanë zgjedhur në këtë vit të parë Ilir Trebickën dhe drejtor ekzekutiv të shoqatës Eduard Çarçanin.

Në programin e tyre shoqata theksoi edhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, e cila i ka vënë në dispozicion palestrat e shkollave ku mund të zhvillohen stërvitjet dhe kampionatet të ndryshme të shoqatës.

Top Channel