Përleshje në Palestinë, SHBA i kërkon Abbasit të mos ndalë bisedimet

08/12/2017 14:02

Trazirat nisën në territoret palestineze. Forcat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor u përleshën me palestinezët, që protestojnë kundër shpalljes së Jeruzalemit nga Shtetet e Bashkuara si kryeqyteti i Izraelit.

Skenari është ai i përhershmi: demonstruesit palestinezë qëllojnë me gurë e përgjigjja e trupave të shtetit hebre është gazi lotsjellës. Ka dhe raporte të pakonfirmuara për të plagosur. Protesta po zhvillohen edhe në Rripin e Gazës. Mijëra palestinezë protestuan pranë xhamisë “Al Aqsa” në Jeruzalem, një zonë e nxehtë në qytetin e shenjtë.

Forcat izraelite të sigurisë ishin vënë në gjendje alarmi, pasi udhëheqësit palestinezë bënë thirrje për një të ashtuquajtur “ditë zemërimi” pas lutjeve të së premtes, gjatë së cilës të shprehej indinjata ndaj vendimit polemizues të Donald Trumpit.

Kreu i Hamasit, Islamil Hanijeh lëshoi madje apele për një intifadë të re kundër Izraelit. Prania policore është forcuar ndjeshëm në Jeruzalem, ndërsa Ministria izraelite e Mbrojtjes dërgoi trupa shtesë në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor.

Autoritetet hebreje të sigurisë i druhen në mënyrë të veçantë agresorëve të tipit “ujk vetmitar”, që mund të përpiqen të ndërmarrin sulme terroriste. Më herët, Shtetet e Bashkuara i paralajmëruan palestinezët të mos i anulojnë bisedimet e parashikuara më vonë gjatë muajit, mes zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence dhe kreut të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Një zyrtar i lartë palestinez e bëri të qartë se numri dy i administratës amerikane nuk do të jetë i mirëpritur, por Uashingtoni këmbëngul të tregojë se pezullimi i takimit do të jetë “antiproduktiv”.

Në këtë pikë nuk bëhet më fjalë për t’i dhënë një shtysë bisedimeve të paqes, por sesi mund të pengohet shpërthimi i një dhune të re. Kryengritjen e dytë palestineze kundër Izraelit, e njohur dhe si intifada “al Aksa” e nxiti pikërisht vizita e ish-kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, në Malin e Tempullit, që u pa nga palestinezët si gjest tejet provokues.

Përplasja e madhe e nisur shtatorin e vitit 2000 do të mbyllej me vdekjen e 3.000 palestinezëve, 1.000 izraelitëve dhe 64 shtetasve të huaj. Palestinezët e shohin Jeruzalemin Lindor, si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm të Palestinës.

Vendimi i i presidentit Trump për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, po ashtu ka nxitur zemërim në mbarë botën arabe dhe myslimane, si dhe i ka befasuar aleatët e Shteteve të Bashkuara. Shumë vende të botës mendojnë prej një kohe të gjatë se statusi i qytetit duhet të vendoset nga negociatat e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, “por zyrtarët palestinezë – thotë VOA, – konsiderojnë se vendimi i Trump i nxori jashtë loje Shtetet e Bashkuara, si një ndërmjetës i paanshëm i bisedimeve të paqes”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA