Një gjykatës në Argjentinë tha se ka kërkuar arrestimin e ish-presidentes Cristina Fernández de Kirchner, e akuzar për mashtrim politik.
Fernández, e cila drejtoi vendin për 8 vite që nga 2007-a, së fundmi u zgjodh senatore dhe si e tillë ka imunitet parlamentar.
Por që ajo të arrestohet duhen dy të tretat e votave në Parlament, e senatorët e tjerë thanë se do ta shqyrtojnë kërkesën e gjykatësit pasi ta marrin.
Vet Fernández e cilësoi lëvizjen e gjykatës si shkelje të ligjit. Gjatë një konference për shtyp, Fernández mohoi akuzat ndaj saj, teksa tha se bëhet fjalë për një çështje të fabrikuar dhe se gjykatësi po vepron nën urdhrat e presidentit Mauricio Macri.
Gjykatësi federal Claudio Bonadio, personi që ka kërkuar arrestimin e Fernández, pretendon se ish-presidentja mori pjesë në një “plan kriminal” për të mbuluar dhe fshehur përfshirjen e zyrtarëve të lartë iranianë në sulmin me bombë ndaj Qendrës hebraike në Buenos Aires në vitin 1994.
Gjykatësi Bonadio drejton Komisionin që heton incidentin e vitit ’94, sulmi terrorist më vdekjeprurës në Argjentinë me 85 viktima. Ishte pikërisht ky gjykatës, që rihapi çështjen ndaj Fernández, që ishte mbyllur në vitin 2015.
Gjykatësi ka kërkuar edhe arrestimin e Héctor Timerman, ish-ministri i Jashtëm argjentinas, për të njëjtën çështje, ndërsa dy aleatë të afërt të Fernández janë tashmë në pranga.
Top Channel