Senatori demokrat dhe ish-komediani Al Franken tha se do të japë dorëheqjen në javët në vijim, pas akuzave për ngacmim seksual.
Në fjalimin e tij në Senat, megjithatë, Franken nuk pranoi të jetë sjellë keq, madje shtoi se ishte krenar që kishte punuar si senator dhe gjatë kësaj kohe kishte mbrojtur të drejtat e femrave.
Lajmërimi për dorëheqjen i senatorit nga Minnesota u bë një ditë pasi thuajse 30 senatorë demokratë e kërkuan këtë. Nëse derisa Franken të dorëhiqet zyrtarisht nuk ndodh asgjë tjetër në klimën e ndezur politike amerikane, ai do të jetë ligjvënësi më i lartë që largohet pas akuzave për ngacmime seksuale.
Në fjalimin e tij në Senat, Franken tha se po hiqte dorë nga posti, po zëri i tij do të dëgjohej ende. Franken nuk humbi rastin që në fjalimin e tij të sulmonte dhe presidentin Trump dhe kandidatin për senator Roy Moore.
“Unë, më shumë nga të gjithë janë i ndërgjegjshëm për ironinë e faktit se unë po lë detyrën, ndërsa dikush që është mburrur se bënte ç’të donte me femrat është në Zyrën Ovale, ndërsa një tjetër që ngacmonte vajzat e vogla po kandidon për Senatin”, deklaroi Franken.
Ish-drejtuesi i “Saturday Night Live” u ka kërkuar falje disa femrave, që e kanë akuzuar për ngacimin seksual, por tha se shumë prej akuzave ndaj tij nuk janë të vërteta.
Top Channel