Në 24 spitale të qyteteve kryesore të vendit prej vitesh kanë mungesë të theksuar të mjekëve specialist. Ky fenomen ndeshet kudo në vend. Fiks Fare e ka evidentuar këtë situatë dhe pasqyruar realitetin e dhimbshëm që bie në ‘kurriz’ të qytetarëve.
Këtë e konfirmojnë edhe drejtorët e spitaleve, ku përmes kamerave të emisionit “Fiks Fare” kërkuan të ngrihet ky shqetësim.
Spitali i Gjirokastrës në alarm për specialist, mjekët në prag pensioni
Mungesa e specialistëve në Spitalin e Gjirokastrës dhe kushtet e mjerueshme në të cilat gjendet godina e kanë vështirësuar dhënien e ndihmës shëndetësore për banorët e qarkut të Gjirokastrës. Drejtori i Spitalit “Omer Nishani” shpjegon se prej vitesh ka mungesë të mjekëve specialistë si dhe një sërë problemesh të tjera. Shumë prej bluzave të bardha janë në prag të pensionit ndaj sipas Dr.Përparim Muços është e vështirë të gjesh mjek të rinj.
“Vuajmë prej vitesh për mjekë. Kemi vetëm një mjek reanimator dhe nuk kemi kirurgë. Edhe një që kemi është në prag të pensionit” shprehet Muço.Drejtori i spitalit shpjegon se edhe specialitetet e tjera janë në mungesë, pasi ka vetëm një pediatër, neonatolog , okulist dhe ortoped. Sipas tij gjendja nuk është e mirë prej vitesh dhe mungesat në specialist sa vijnë dhe shtohen.
“Kemi nga një mjek për specialitet, ndërkohë duhet me urgjencë një ortoped, pasi dy që kemi kanë ikur për specializim jashtë vendit. Ishallah kthehen!” përfundon ai. Spitali veç mungesës së stafit është në gjendje të mjerueshmë. Lagështia ka pushtuar tavanë e mure, ndërsa tualetet janë kthyer në vatra infeksioni. Spitali edhe pse është rikonstruktuar 9 vjet më parë më 26 qershor të vitit 2009, sot duket sikur mbi të nuk është vënë dorë kurrë. Asokohe Ministria e Shëndetësisë investoi 123 milion lekë për godinën dhe blerjen e paisjeve të reja, por aktualisht ky institucion shëndetësor është në gjendje të mjerueshme . Nëndrejtori i spitalit, Roland Karalli shprehet se tashmë në institucion çdo gjë ka dalë jashtë përdorimit. “Lagëshita ka pushtuar muret e dhomave, koridoret e gjithçka. Sistemi i ngrohjes ka dalë jashtë funksionit vetëm tre kaloriferë punojnë në të gjithë godinën” pohon Karalli.
Ai shton se institucioni shëndetësor ka mungesë shtretërish dhe pacientët detyrohen të marrin me vete çarçafë e batanije në spital. Një tjetër problem mbetet edhe higjena, banjot kanë dalë jashtë funksionit dhe ka mungesë edhe në stafin e sanitareve. ” Duke qenë një spital rajonal i cili ka fluks pacientësh, duhet të kishte një numër më të madh sanitaresh, po do ishte e nevojshme të kishte edhe më shumë staf” përfundoi ai.
Spitali i Tepelenës , dy mjekë dhe asnjë ambulancë
Pas nuk mbetet as spitali i Tepelenës ku marrin shërbim banorët e Tepelenës dhe Memaliajt, gati 45 mijë banorë . Edhe në këtë spital mungojnë mjekët specialsitë, mungon mjeku pediatër, kardiologu, okulisti. Spitali ka vetëm dy mjek specialistë një neurolog dhe një pneumolog.
Pacientët I dërgojnë në Tiranë, por edhe për ta, nuk kanë ambulance. Tre autoambulancat që ka ky spital, janë jashtë funksionit
Spitali i Sarandës me mjekë pensionistë
Spitali i Sarandës me 85 shtretër megjithëse jo rajonal mbulon nevojat për shërbime mjekësore për një popullsi të gjerë që përfshin banorë të bashkive Konispol dhe Delvinë përveç atyre të komunave përreth. Shumica e mjekëve që punojnë në këtë spital janë pensionistë.
Në këtë spital mungon mjeku pediatër, kirurgu , gastroepatologut, hematologut dhe kardiologu.
Mjekët e spitalit të Peshkopisë: Punojmë si në mesjetë
Në spitalin e Dibrës, ndërhyrjet kirurgjikale realizohen me mjete të viteve ‘60.
Nën drejtori i spitalit të Peshkopisë, Astrit Ademi shprehet se mungojnë disa mjek specialist si: mjek obstetër, okulist, infeksionist, kirurg, neurolog, anestezist.
“Çdo ditë dërgojmë pacientë drejt Tiranës për shkak të mungesës së mjekëve specialist” shprehet Ademi. Edhe mjetet në këtë spital janë shumë të amortizuara.
Kryeinfermierja e këtij spitali, Alba Shehu tregon se prej 10 vitesh nuk ka okulist fare. “Këtu nuk ka absolutisht asnjë instrument, asnjë vegël pune, këtu punohet si në mesjetë. Unë mbuloj dhe emergjencat e Orl-së dhe okulistikës, ama nuk punohet me gishta sot, nuk ka absolutisht asnjë lloj vegle. Mjeku që punoj prej 13 vitesh aty , i merr mjetet me vete, në rrugë private se shteti nuk ka. Ka raste pafund me trupa të huaj në rrugët e frymëmarrjes dhe laring i heqim me klema me gjëra që janë. Si ndricues përdorim dritën e telefonit’.- shprehet Shehu.
Ndërsa mjeku gjinekolog, Bajram Balliu shprehet se punon prej 10 vitesh në maternitetin e Dibrës, dhe aktualisht është vetëm ai në detyrë. Sipas tij kanë dërguar kërkesat në ministri, por askush nuk i ka marrë parasysh. “Mungon eko-ja, instrumentet, mungon një kardiomonitor i cili ka të paktë 5 vite që është i prishur. Në sallën e operacionit ne punojmë akoma me mjetet e viteve ’60-70”- tregon Balliu.
Top Channel