Pica napoletane, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s

07/12/2017 22:05

Napoli është mburrur ngaherë me picën e tij të famshme. Por tani ka një arsye më shumë për ta bërë, pasi pica nepoletane fitoi statusin e trashëgimive botërore.

UNESCO pranoi artin e picajolëve apo prodhueseve napolitanë të picave, në listën e gjatë të trashëgimive kulturore të njerëzimit, ku bëjnë pjesë mullinjtë holandezë të erës, gara me kuaj në Iran, apo edhe isopolifonia shqiptare.

“Përgëzime Itali!” tha agjencia në një postim në “Twitter” pas një mbledhje në Jeju të Koresë së Jugut ku edhe u mor vendimi.

Italia pretendon se taktika e picajolëve, që përfshin përgatitjen e vërtitjen e brumit e gjithashtu pjekjen në furrë druri, është pjesë e traditës kulturore e gastronomike të vendit. Pica tipike napoletane ka dy versione; marinara, me domate, hudhra, rigon dhe vaj dhe me e famshmja, margerita, e përberë nga domate, mocarela, vaj ulliri dhe borzilok, që i japin asaj tre ngjyrat e flamurit italian.

Sipas legjendës pica margerita u krijua në 1889 nga një shef lokal në nder të mbretëreshës Margerita, e cila po vizitonte Napolin.

Top Channel