Njohja e Jeruzalemit, e gjithë bota kundër Trumpit

07/12/2017 08:29

Arabia Saudite, aleati më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botën arabe, u rreshtua krahas vendeve që dënuan ashpër vendimin e Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Në një komunikatë për shtyp, Mbretëria saudite tha se ky hap i ndërmarrë nga Trump ishte i pajustifikueshëm dhe i papërgjegjshëm.

Por kritika vijnë nga çdo cep i botës ndaj vendimit të Trump, e këto nuk mungojnë as nga aleatët.

Kryeministrja britanike Theresa May tha se nuk është dakord me vendimin e SHBA-ve, që nuk ndihmon për paqen në rajon.

Në të njëjtin kuadër u shprehën Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, respektivisht presidenti i Francës dhe kryeministrja e Gjermanisë, të cilët thanë se nuk mbështesin vendimin amerikan.

Sigurisht që kjo medalje ka edhe një anë tjetër, pavarësisht se më të vogël, atë të Izraelit që e përshëndeti vendimin amerikan, duke e konsideruar një ditë historike.

Nuk është i këtij mendimi kreu i OKB-së, Antonio Guterres, i cili tha se ky është një moment ankthi i madh dhe se nuk ka opsion tjetër për paqen në rajon veç zgjidhjes dyshtetërore. Mësohet se, 8 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar një takim urgjent për të diskutuar këtë çështje, që sipas tyre u jep fund përpjekjeve për paqe.

Por s’është i këtij mendimi Trump, i cili tha se njohja e Jeruzalemit nuk dëmton përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Megjithatë, nuk duken të gjithë të bindur për këtë, pasi zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, me kusht anonimiteti, thanë për CNN-in se pritet që priocesi i paqes të dëmtohet përkohësisht nga njohja e Jeruzalemit, një çmim që administrata ishte e gatshme ta paguante për mbajtjen e një premtimi të fushatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA