Fituesit e “Rrathë IV”, çmim special edhe nga fondacioni “Dritan Hoxha”

07/12/2017 15:25

Historia e djaloshit që u gjet kur ishte foshnjë në një kazan plehrash nga një familje rome e që sot mendon si një i rritur, është edhe video dokumentari “21 gusht” nga Mirel Gjyzari, fitues i edicionit “Rrathë IV”, me 84 aplikime nga të cilat janë financuar 24.

Të 24 të transmetuar në Top Channel.

“Pikërisht kjo lloj gazetarie që e çon autorin, gazetarin, operatorin, montazhierin, shoferin, e çon tek individi i thjeshtë, kjo është ajo pikërisht për të cilën unë jam i bindur që do shpëtojë gazetarinë”, thotë Fatos Baxhaku.

Fondacioni “Dritan Hoxha”, në partneritet prej katër vitesh me “Rrathë”, i kushtoi një çmim special dokumentarit “Lërini ato të rriten”.

“Fituesi i çmimit special dhënë nga Fondacioni “Dritan Hoxha”, shkon për dokumentarin “Lerini ato të rriten” për Z. Lorenc Daja. Lërini ato të rriten nuk e pranon fatalizmin dhe sheh dritë në fund të tunelit, por pa bërë moral”, thotë Vjollca Dako, drejtore ekzekutive e Fondacionit “Dritan Hoxha”.

Një personazh që jeton me nostalgjinë dhe sendet e vitit 1987, subjekt i dokumentarit “Ëngjëlli i tunelit”, e shndërroi atë në fitues të çmimit të dytë.

“Ne njerëzit që kemi vëzhguar dikur, një nga gjërat që kemi sot pasuri është nostalgjia dhe po të ulemi edhe ne nëpër tavolina ngjajmë si ata pleqtë e vjetër që tregojnë histori të vjetra prandaj kur e shihnim punën shihnim atë që i kishte mbetur sahati, por shihnim edhe veten tonë”, thotë Enkel Demi.

Ndërsa fituesi i çmimit të tretë u shpall dokumentari “Albania Squatters”, një histori mbi të drejtën e strehimi të romëve.

“Nga katër edicione që janë bërë përgjatë pesë viteve janë mbështetur rreth 150 të rinj dhe janë prodhuar 91 video, të cilat janë me të vërtetë një pasuri, por mendoj që ka qenë një pasuri kjo eksperiencë edhe për pjesëmarrësit pasi ka qenë një shkollë e vërtetë për një pjesë të tyre. Ngaqë janë asistuar dhe mentoruar nga profesionistë të fushës”, thotë Brunilda Bakshevani, menaxhere programi fondacioni “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”.

Top Channel