Tre persona u paditën për vrasjen e gazetares dhe blogeres malteze Daphne Caruana Galizia.
Vëllezërit George dhe Alfred Degiorgio, 55 dhe 53 vjeç, si dhe Vincent Muscat, 55 vjeç, të përballur me akuzat thanë se janë të pafajshëm dhe nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen. Por, veç vrasjes, autoritetet i paditën edhe për armëmbatje pa leje dhe zotërim materialesh për prodhim bombash.
Gazetarja Caruana Galizia u vra më 16 tetor me një autobombë fare pranë shtëpisë së saj. 53-vjeçarja njihej për hetimet e saj therëse kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar. Madje, ajo me artikujt e saj shkaktoi edhe rrëzimin e qeverisë së shkuar në Maltë. Pas kritikave nga BE për ngurrim në luftën ndaj krimit, të hënën autoritetet maleteze arrestuan 10 persona në lidhje me vrasjen dhe tre të akuzuarit ishin mes tyre.
Por, ndërsa dyshohet se gazetarja u vra për shkak të punës dhe artikujve demaskues, miq të saj thanë se ajo nuk kishte hetuar dhe as shkruar kurrë për tre të akuzuarit. Analistët mendojnë se tre të paditurit, nëse janë fajtorë, mund të jenë punësuar për vrasjen e saj, diçka që tregon se komploti kundër gazetares shkon shumë më lart, pikërisht atje ku ajo sulmonte me investigimet e saj.
Top Channel