
Lajmi se Donald Trump pritet të njoftojë njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit ka nxitur reagime ndërkombëtare që variojnë nga shqetësimet tek alarmi.
Për palestinezët, kjo do të ishte “puthja e vdekjes” për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Sipas përfaqësuesit të këtij vendi në Britaninë e Madhe, Manuel Hassassian, ndryshimet në politikën amerikane mbi Jeruzalemin janë të barazvlefshme me një deklaratë lufte në Lindjen e Mesme.
Reagimi zyrtar i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu nuk ka ardhur ende, por ministri i Arsimit Naftali Bennett e cilësoi këtë si një hap të madh drejt paqes dhe u kërkoi vendeve të tjera të ndiqnin shembullin e Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se diçka e tillë do të bindte armiqtë e Izraelit se, Jeruzalemi nuk do të ndahet kurrë.
Por, Papa Françesku kërkoi respektimin e “status quo”-së dhe theksoi se dialogu do të vinte vetëm përmes njohjes së të drejtave të të gjithë njerëzve në rajon.
Gjithashtu, ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson i sheh me shqetësim raportimet, mbi atë që do të thotë presidenti i Shteteve të Bashkuara, duke u bërë jehonë komenteve të Francës dhe Bashkimit Europian.
Nëse Trump do të deklarojë atë që pritet, Shtetet e Bashkuara do të bëhen vendi i parë që njeh Jeruzalemin si kryqytet të Izraelit, që prej formimit të këtij të fundit në vitin 1948.
Zyrtarë të administratës së Trumpit thonë se Shtetet e Bashkuara do të njohin atë që e quajnë realitet historik dhe aktual, por se gjithsesi kufijtë e qytetit do të mbeten subjekt i marrëveshjes përfundimtare mbi statusin e tij. Gjithashtu, ata theksuan se nuk do të preket as statusi i vendeve të shenjta.
Top Channel