David Silva rrezikon të humbasë derbin e Manchesterit

06/12/2017 05:25

Fundjava në Premier League na dhuron derbin e Manchesterit, mes United-it dhe City-t, që si rrallë ndonjëherë i sheh të 2 skuadrat në krye të renditjes dhe në një formë të shkëlqyer.

Kjo sfidë, përveçse spektakolare, pritet të jetë edhe vendimtare për fatet e titullit kampion në Angli, pasi në rast fitoreje të skuadrës së Guardiolës, thuajse do të mbyllej gara për kreun.

Mourinho do të duhet të planifikojë këtë takim pa yllin francez të mesfushës, Paul Pogba, që është i pezulluar, pas kartonit të kuq, të marrë në sfidën e të shtunës ndaj Arsenalit.

Por krahas Pogbasë, një tjetër yll mund t’i mungojë derbit të Manchesterit. Bëhet fjalë për fantazistin e City-t, David Silva, që ka një tërheqje të lehtë muskulare dhe rrezikon grumbullimin në derbi.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë trajneri Guardiola, që tha se pikërisht për këtë arsye, ka mbetur edhe jashtë transfertës së Championsit, ndaj Shakhtar Donetskut.

Top Channel