“Hetues” privat për lopën e vjedhur, informacioni kushtoi 700 mijë lekë

05/12/2017 22:00

Një fermer nga Trebinja, ankohen për policinë që nuk ka marrë asnjë masë për lopën dhe mëshqerrën që i kanë vjedhur. Hajdutin e ka gjetur vetë pasi ka paguar informator, por lopa me mëshqerrën nuk i janë kthyer. Për këtë arsye ai iu drejtua emisionit Fiks Fare për të gjetur një zgjidhje.

Xhevair Kajacka nga Guri i Bardhë i Njësisë Administrative të Trebinjës në rrethin e Pogradecit është pronar i një ferme me plot 100 lopë.

Ai është i rregullt me të gjitha detyrimet ndaj shtetit dhe ferma e tij paguan të gjitha taksat. Por në vitin 2015 tek kishte nxjerrë lopët si gjithmonë në kullote, shikon se një lopë dhe mëshqerra e saj nuk ndodheshin më aty ku i kishte lënë. Pas këtij konstatimi ai fillon kërkimet në pyll me frikën se mos i ka ngrënë ndonjë kafshë e egër. Por pas tre muaj kërkimesh ai bindet se lopët nuk janë ngrënë por janë vjedhur.

Menjëherë bënë denoncimin në polici për vjedhjen e lopës. Sipas tij policia nuk e vuri ujin në zjarr. Kështu ai mundohet të gjejë lopën me forcat e veta. Bën një njoftim nëpër zonë, ku i kërkon çdo personi të fshatit që nëse kishin informacion se kush mund të kishte vjedhur lopën do të paguhet.

I menjëhershëm ka qenë informatori i parë që i tregon se lopa ndodhet në kasollen e një banori nga Verdova e Pogradecit dhe për këtë shërbim ai paguhet plot 700 mijë lekë të vjetra. Xhevairi shkon të shoh vetë se nëse informacioni ishte i saktë apo jo. Për këtë njofton dhe policinë dhe së bashku shkojnë tek kasollja ku ishte sinjalizuar.

Përveç karakteristikave të tjera të lopës ai u pohon policëve se ka dhe një sinjal që lopët e tij e njohin, pasi ai ashtu i thërret. Duke u vërtetuar të gjitha fjalët e fermerit, policia hap një dosje, pra “dosjen e lopës së vjedhur”.

Deri më tani asgjë nuk është bërë për Xhevairin, pasi sipas tij dosja e lopës fle nëpër sirtarët e komisariatit të policisë së Pogradecit. Ai iu drejtua emisionit Fiks Fare se mund të vërë organet në lëvizje dhe t’i rikthehet lopa dhe mëshqerra që ndodhet aktualisht në kasollen e hajdutit. Ai gjithashtu kërkon edhe dëmshpërblim, pasi hajduti e ka shfrytëzuar qumështin e lopës për gati tre vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA