Dortmund-Aubameyang në krizë. Gabonezi “harton” planin e arratisjes?

05/12/2017 14:19

Pierre-Emerick Aubameyang dëshiron të largohet nga Borussia Dortmund dhe duket se e ka hartuar planin për t’u larguar që nga merkatoja e janarit, edhe pse është i vështirë që të realizohet.

Raporti i tij me shokët e skuadrës, trajnerin dhe drejtuesit duket se kanë arritur në ekstrem dhe kriza e rezultateve të ekipit gjerman, sigurisht që nuk e nxit të qëndrojë. Ai ëndërron një rikthim te Milani, ndërsa kuqezinjtë e dëshironin që prej merkatos së verës, por tratativa nuk është aq e thjeshtë për t’u realizuar. Sulmuesi nga Gaboni ka përfunduar tashmë edhe në radarët e klubeve të tjera elitare të Europës.

Javët e kaluara Aubameyang u pezullua, duke munguar në transfertën e Shtutgartit ku verdhezinjtë humbën, për shkak të vonesave të vazhdueshme në stërvitje dhe sepse shpeshherë në qendrën stërvitore ka futur prindërit dhe miqtë e tij. Sjellje këto që, jo vetëm drejtuesve, por as shokëve të tij të skuadrës duket se nuk u kanë pëlqyer.

Ndërkohë, pas ndeshjes më befasuese të Bundesligës, derbit me Schalken të cilin ishin duke e fituar 4-0 por në fund rezultati shkoi në 4-4, portieri i Dortmundit Ëeidenfeller pranoi publikisht se kthesa për keq e asaj ndeshjeje kishte nisur me kartonin e kuq të Aubameyang.

Top Channel