Qeveria mbështet akademikët e rinj

04/12/2017 15:47

Në mes të konfliktit mes Qeverisë dhe Akademisë së Shkencave për reformimin e këtij institucioni, ministrja e Arsimit i dha mbështetje Akademisë së të Rinjve.

“Lejomëni që jo vetëm t’ju përgëzoj, por edhe t’ju shpreh gjithë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Shqipërisë për këtë nismë tejet me vlerë, të shkëlqyer që do të shenjojë një ecuri të re në gjithë atë që ne bashkarisht po zhvillojmë, si një reformë që ka përfshirë të gjithë sistemin e shkencës në vend”, deklaroi para akademikëve të rinj, ministrja Nikolla.

“Kjo iniciativë, e para në llojin e vet përgjatë historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë synon të mbështesë shkencëtarët e rinj shqiptarë, përpjekjet e tyre në rrugëtimin e vështirë të shkencës në Shqipëri për t’i garantuar vijimësinë brezave të kërkuesve shkencorë, duke mbështetur kërkimin shkencor cilësor dhe impaktin pozitiv të shkencës në shoqërinë tonë”, deklaroi Andi Rrembeci, Bashkëkryetar i Akademisë së Shkencëtarëve të Rinj.

Akademia e të Rinjve prane Akademisë së Shkencave u ngrit në qershor të këtij viti me cilësinë e një komisioni të përhershëm novacioni, me kërkues të rinj të vlerësuar në një proces konkurimi. Shkencëtarët e rinj kanë aderuar edhe në Akademinë Botërore të të Rinjve.

“Benefitet e Akademisë së të Rinjve janë disa. Ajo bëhet pjesë e shkëmbimit të ideve midis shkencëtarëve, bashkëpunon me ta për projekte të ndryshme. Ajo që ne shpresojmë të bëjmë me Akademinë e Shkencëtarëve shqiptarë është të përmirësojmë aftësitë e tyre si liderë në shoqëri, sepse shkencëtarët luajnë një rol të rëndësishëm, veçanërisht të rinjtë që kanë një karrierë të gjatë para dhe mund të frymëzojnë të tjerë shkencëtarë për të bërë diferencën në shoqëri”, thotë Connie Nshemereirwe nga Global Young Academy.

Top Channel