Anëtarët e Parlamentit Evropian që po hetojnë vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia, thanë se shkuan në Maltë të shqetësuar seriozisht për sundimin e ligjit dhe po largohen edhe më të shqetësuar.

Deputetët evropianë u dërguan në Maltë pasi Parlamenti në Bruksel i kërkoi autoriteteve të BE që të hapin një dialog formal me Maltën pas vrasjes së gazetares. Por pas vizitës në ishull, delegacioni tha se ngurrimi për të hetuar dhe gjykuar çështjet e rëndësishme në vend ka krijuar perceptimin e mosndëshkimit.

Delegacioni tha se ishte tejet shqetësuese që disa nga zyrtarët lokalë me të cilët u takua nuk pranuan t’i përgjigjen pyetjeve. Një nga deputetët e delegacionit, gjermani Sven Giegold tha se pas dy ditësh takime me zyrtarë të qeverisë, rregullatorë, gazetarë lokalë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, ishte shumë i shqetësuar për policinë dhe prokurorin e përgjithshëm të ishullit.

Hetuesit evropianë thanë se këto dy institucione shfaqin mungesë të lartë vullneti për të hetuar dhe kanë dështuar në ndëshkimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Delegacioni tha se raportin me rekomandimet do t’ia kalojë Komisionit Evropian, ndërsa përgatitet procedura e nenit 7, ose auditi formal i sundimit të ligjit në një vend anëtar.

Gazetarja Caruana Galizia, hetimet e së cilës për korrupsionin në nivel e larta sollën edhe rrëzimin e qeverisë, u vra në tetor me një autobombë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA