Më pak reshje, më shumë prurje; situatë problematike në Vlorë e Fier

02/12/2017 22:52

Në Fier dhe Vlorë vazhdojnë operacionet për të përballuar situatën e krijuar nga moti i keq dhe dalja e Vjosës nga shtrati.

Përveç zonave në Vlorë, prurjet e lumit rrezikojnë përmbytjen e fshatrave Darzezë e Povelçe. Niveli i ujit ne kolektorin e Darzezës është në kuotat maksimale.

Banorët janë përfshirë nga paniku, ndërsa barinjtë e ardhur nga zonat malore, gjatë së shtunës nisën largimin e bagëtive nga frika e përmbytjes. Toka bujqësore është nën ujë, ndërkohë që ende nuk raportohet për banesa të përmbytura. 40 trupa të ushtrisë udhëtuan drejt kësaj zone për t’u ardhur në ndihmë banorëve vendas.

Situata vështirësohet edhe më shume duke patur parasysh se prurjet e Vjosës janë në rritje.

Pompat e hidrovoreve Darezezë dhe Seman punojnë me kapacitet të plotë. Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me ekipin e Emergjencës të ardhur nga Kosova evakuuan një të sëmurë, të cilit i dhanë ndihmën e parë mjekësore.

Përsa i përket furnizimit me energji elektrike, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike bën të ditur se kanë mbetur vetëm 16 fidera pa energji në rang vendi.

Në Ferras, pasditen e së shtunës ishte Presidenti i Republikës.

“Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre”, tha Meta.

Gjatë paradites në Ferras dhe në Novoselë ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Në mbrëmje kryeministri drejtoi Komitetin e Emergjencave, ku tha se dëmet e kësaj përmbytje projektohen të jenë më të ulta se në 2015-n.

“Fatura e zhdëmtimeve dhe e kompensimeve duhet përgatitur me transparencën më të madhe dhe me seriozitetin më të plotë, në mënyrë që askush nga njerëzit e prekur dhe në radhë të parë nga familjet në nevojë të mos mbetet jashtë listës”, deklaroi ai.

Kurse kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në Fushë-Krujë.

“Në Fushë-Krujë pata rastin të falenderoj dhe të shpreh mirënjohjen për ushtarët dhe policët që po sakrifikojnë prej 3 ditësh për të shpëtuar jetën e njërëzve. Më e keqja akoma nuk ka kaluar. Do jemi në Fier dhe në Vlorë për t’u gjendur pranë qytetarëve të prekur nga përmbytjet”, thotë Basha.

507 familje të evakuuara dhe 1594 persona është numri total i të shpëtuarve deri mbrëmjen e së shtunës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA