Thaçi: Transformimi i FSK-së në FA, në të mirë të shtetit

01/12/2017 13:46

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur këtë të premte komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtnant Rrahman Ramën, nga i cili është informuar për progresin e bërë gjatë muajve të fundit rreth transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Pas vizitës të zëvendësndihmës Sekretares amerikane të Mbrojtjes, Laura Cooper, si dhe ministrit të Shtetit për Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster, me të cilët presidenti Thaçi bisedoi për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ai u informua sot nga gjeneral-lejtnanti Rrahman Rama edhe për progresin e bërë gjatë muajve të fundit.

Presidenti Thaçi vlerësoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është shembull i përfaqësimit shumetnik.

“FSK-ja ka arritur të bëhet një forcë profesionale, me standardet e NATO-s, e është shembull i përfaqësimit gjinor dhe etnik. Transformimi i saj në Forca të Armatosura të Kosovës është në të mirën e qytetarëve të të gjitha komuniteteve, e mbi të gjitha në të mirën e shtetit tonë të përbashkët”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa gjeneral-lejtnant Rrahman Rama theksoi se Forca e Sigurisë është e përgatitur dhe është e gatshme të marrë përgjegjësi shtesë.

Në takimin e presidentit Thaçi me komandantin e FSK-së u vlerësuan edhe mesazhet e dhëna nga zëvendësndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes, Laura Cooper, si dhe nga ministri i Shtetit për Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster, të cilët kishin shprehur përkushtimin e tyre për të krijuar një platformë të qëndrueshme, duke theksuar se çelësi i suksesit në transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura është bashkëpunimi dhe partneriteti me NATO-n.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA