Superiorja, Skënderbeu i kreut përgatitet për Kukësin kampion në fuqi

01/12/2017 19:23

Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të pezullojë shumicën e ndeshjeve të kampionatit për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe përmbytjeve.

Përjashtim bën Kategoria Superiore, e cila do të luhet sipas programit të paracaktuar, vetëm me një ndryshim, spostimin e ndeshjes Luftëtari-Flamurtari për ditën e hënë.

E shtuna e Kategorisë Superiore do të rezervojë një duel të bukur në futbollin shqiptar, me përballjen mes skuadrës më të fortë të momentit, që kryeson renditjen, dhe kampionëve në fuqi.

Skënderbeu pret Kukësin, por në vëmendjen e korçarëve nuk lihet jashtë as Europa.

“Në fillim nuk mendonte asnjë që Skënderbeu mund të kalonte 4 ture, u desh të rikompozohej edhe njëherë kalendari”, tha Daja.

Trajneri i Skënderbeut ka rikuperuar elementët e duhur për dy ndeshjet e radhës. Ai gjithashtu nuk përjashtoi huazimet, por tha se lojtarët që do të largohen, do të zëvendësohen.

“Vangjeli është rikuperuar, në politikën e klubit është dhe huazimi”, tha më tej Daja.

Komisioni i Disiplinës vendosi të pezullojë Laçin, për shkak të incidenteve në ndeshjen ndaj Kukësit, që sollën dhe plagosjen e disa futbollistëve.

Skuadra kurbinase, për sjellje të gabuar të tifozerisë, duke përdorur fjalë ofenduese në kor, duke hedhur gurë e mjete ndezëse brenda rrethimit të fushës së lojës, është dënuar me dy ndeshje pa tifozë.

Kukësi nga ana e tij detyrohet të paguajë të gjitha dëmet materiale të shkaktuara në stadiumin e Laçit. Nuk i shpëtoi sanksioneve as Tirana, për transfertën e Kategorisë së Parë ndaj Shënkollit. Bardheblutë do të luajnë një ndeshje pa tifozë, për shkak të trazirave të shkaktuara.

Top Channel