“Rusi 2018”, përballjet që duhen evituar: Francë-Argjentinë, Brazil-Gjermani

01/12/2017 18:35

Tashmë që jemi njohur me shortin e Botërorit të Rusisë, që do të luhet nga 14 qershori deri më 15 korrik të vitit të ardhshëm, shumëkush nis të bëjë llogaritë se çfarë mund të presim pas fazës së grupeve.

Ajo që dihet me siguri është se Rusia do të çelë Botërorin me ndeshjen hapëse ndaj Arabisë Saudite, ndërsa kampionët në fuqi të Botës, Gjermania do të përballet me Meksikën në ndeshjen e parë.

Përplasja më e spikatur e ndeshjeve të para në grupe do të jetë ajo e grupit B, mes Portugalisë kampione Europe në fuqi dhe Spanjës, dy vende fqinje të gadishullit Iberik.

Gjermania duket e gatshme të mbrojë titullin kampion bote. Joachim Low është shprehur pas shortit se grupi ku bëjnë pjesë “panzerat” është tepër interesant. “Synimi ynë është të mbështetemi mbi parimet tona fundamentale për të mbrojtur titullin e kampionit”.

Ndërkohë, trajneri i Anglisë shprehet se “kjo është bukuria e futbollit, pasi gjatë kualifikueseve jo domosdoshmërisht mendon për ditë si kjo e sotmja, kur gjithçka duket se nis nga e para. E ti detyrohesh të shohësh finalet e kaluara, supersfidat dhe lojtarët e mëdhenj të së kaluarës, gjë që të rikthen pikërisht te futbolli i pastër”.

Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez shprehet entuziast për përballjen me Anglinë. “Kam rreth 21 vite që jetoj në Britani dhe përballja me Anglinë do të jetë shumë speciale, por siç e dimë, përpara kemi Kupën e Botës dhe tashmë duhet të fokusohemi te përgatitjet”. Sipas tij, grupi është sfidues me Anglinë, Panamanë dhe Tunizinë.

Reagimet pas shortit ishin të shumta, por ajo që bën më kuriozë të apasionuarit pas futbollit është ajo që do të shohim pas fazës së grupeve.

Më konkretisht, duke qenë se në raundin e 16-sheve (1/8-at) përballen fituesit e grupeve me të dytat e atyre më të afërta pasuese, pra A-B, C-D, E-F dhe G-H, ato që rrezikojnë më shumë janë kombëtaret e mëdha si Franca e Argjentina, apo Brazili e Gjermania.

Të katërta këto skuadra “big” duhet të fitojnë me patjetër grupet e tyre respektive, nëse nuk do të duan që t’ia vështirësojnë vetvetes gjërat për ecurinë e mëtejshme. Edhe për organizatorët rusë ekziston një rrezik i madh. Nëse sigurojnë kualifikimin nga grupi A, përballë Arabisë, Egjiptit dhe Uruguajit, do të detyrohen të luajnë një supersfidë me njërën nga Portugalia apo Spanja, gjithnjë nëse këto dy skuadra kualifikohen – siç pritet – nga grupi B, ku bëjnë pjesë edhe Maroku e Irani.

Ndërkohë, fati duket se buzëqesh për Belgjikën e talenteve të shumta, nga Hazard te Lukaku, nga Mertens te De Bruyne, apo edhe Januzajn. Nëse kualifikohet si e parë apo e dytë e grupit G, përballë do të ketë njërën mes Polonisë, Kolumbisë, Japonisë apo Senegalit.

FOTO GALERI
1/1
Tashmë që jemi njohur me shortin e Botërorit të Rusisë, që do të luhet nga 14 qershori deri më 15 korrik të vitit të ardhshëm, shumëkush nis të bëjë llogaritë se çfarë mund të presim pas fazës së grupeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA