Dashuria e pamposhtur e Florencit dhe Suelës

01/12/2017 22:05

Florenc dhe Suela Gjoni, dy të rinj të dashuruar prej disa kohësh. Dashuria e tyre ka mbijetuar edhe pas pengesës që ndoshta shumëkush nuk do ta kishte kaluar dot.

Vetëm pak kohë para martesës, djali pëson një aksident në punë ku, si pasojë, mbeti i paralizuar. Për shumë njerëz ky do të ishte fundi, por për ta ishte një fillim i ri.

Florenci e pranon se e mendoi që gjithçka kishte përfunduar. “Duke qenë se nuk isha më i zoti për veten, nuk kisha çfarë t’i ofroja Suelës. I kam kërkuar unë që të largohet. Por, Suela nuk u dorëzua kurrë”, u shpreh Florenci.

Ndërsa Suela tregon: “Më thonte largohu, por nuk e ndjente. Mendonte se asgjë nuk vazhdonte. Duhet të kuptonte që gjërat vazhdojnë dhe ne duhet ta pranojmë këtë”.

“E kam marrë vesh që ishte i paralizuar vetëm 10 ditë përpara martesës. Në fillim më thanë që kishte thyer këmbën dhe mendova se dasma bëhet edhe me patericë. 10 ditë përpara dasmës më tha që nuk do të ketë dasmë dhe më sqaroi gjithçka. Unë i thashë që do e kalonim këtë gjë. I them që je shumë mirë, që ka edhe më keq”, tregon Suela.

“Florenci ka goxha ndryshim gjatë këtyre viteve. E ndjen këmbën deri te gjuri dhe ky është përmirësim kur mendon se nuk rrinte dot as ulur. Unë mendoj se çdo njeri vuan dhe buzëqeshja nuk më ka ikur kurrë”, shton Suela.

Top Channel