Deklaratat e lëshuara nga Sekretari i Shtetit Rex Tillerson dhe Presidenti amerikan, Donald Trump jo gjithmonë kanë qenë në kohezion sa i takon politikës së jashtme.
Kujtojmë njërën nga përplasjet për qëndrimin e SHBA për Korenë e Veriut, ku Trump kërcënonte me sulm ushtarak madhor, ndërsa Tillerson nuk përjashtonte dialogun me vendin komunist.
E duket se nën rrogoz këto përplasje kanë arritur kulmin. Mediat amerikane raportojnë se Donald Trump po projekton largimin e Tillerson nga posti i kryediplomatit të SHBA, madje në disa artikuj thuhet se vetë Tillerson në biseda me vartësit dhe zyrtarët e tjerë të stafit të tij, e ka quajtur shefin e tij “hajvan”.
Ndasitë mes tyre nuk janë vetëm për Korenë e Veriut, por edhe për qëndrimin në lidhje me programin bërthamor iranian, ku Trump ka paralajmëruar anulimin e marrëveshjes së arritur nga administrata “Obama”, ndërsa Tillerson ka qenë më i rezervuar për këtë.
Po ashtu, një tjetër çështje që ndan Presidentin me kryediplomatin është edhe përplasja mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sa i takon zëvendësuesit, në mediat amerikane përflitet emri i Mike Pompeo, aktualisht shef i CIA-s.
Top Channel