Një gabim kompjuterik në përllogaritjen e turneve i la pushim të gjithë pilotët e “American Airlines” gjatë javës së Krishtlindjes, ndërsa kompania po përpiqet si të mundet që të gjejë pilotët për mijëra fluturime, gjatë kësaj periudhe shumë të ngarkuar të vitit.
Kompania nuk tha sesa fluturime janë prekur, por Sindikata e Pilotëve deklaroi se rreth 15 mijë fluturime janë planifikuar pa pilot, bashkëpilot dhe në shumë raste pa asnjërin prej tyre.
“American Airlines” është kompania ajrore më e madhe në botë, ka rreth 15 mijë pilotë dhe vetëm gjatë dhjetorit do të kryejë më shumë se 200 mijë fluturime. Fluturimet për secilin pilot caktohen bazuar në vjetërsinë në punë, po ashtu si ditët e pushimit.
Por gabimi kompjuterik, që prek fluturimet nga 17 deri më 31 dhjetor, iu dha leje të gjithëve, pavarësisht se nuk kishte kush t’i zëvendësonte, gjë që normalisht nuk do të ndodhte.
Zëdhënës të kompanisë nxituan të sigurojnë publikun se nuk do të ketë asnjë anulim fluturimi, pasi është planifikuar të paguhen pilotët me orë shtesë, si dhe do të përdoren pilotë në rezervë, apo në gatishmëri.
Por kjo ka zemëruar sindikatën, e cila thotë se kompania po shkel kontratën. Sindikata thotë se kompania, jo vetëm që po imponon një zgjidhje pa e përfshirë atë, por po kufizon gabimisht pagesën speciale, që jepet për ata që punojnë në periudha pushimesh apo gjatë lejes.
Top Channel