Botërori “Rusi 2018”, mbyllet faza e parë e shitjes së biletave

29/11/2017 13:47

Faza e parë e shitjes së biletave për Botërorin e vitit 2018, që do të zhvillohet pas rreth 7 muajsh në Rusi, është mbyllur.

Organizmi më i lartë i futbollit botëror, FIFA e ka bërë bilancin e saj në këtë pikë, e rezulton se kërkesat më të shumta për biletat e kompeticionit të verës së ardhshme janë bërë nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Të bën përshtypje fakti që tifozët amerikanë kanë shfaqur kaq shumë interes për këtë kompeticion, edhe pse përfaqësuesja e vendit të tyre ka mbetur jashtë Kupës së Botës.

Pas tyre, tifozët më të interesuar për blerjen e biletave kanë rezultuar të jenë ata brazilianë, gjermanë, meksikanë, izraelitë, argjentinas, australianë e anglezë. Sipas të dhënave të FIFA-s, 53% të 742.760 biletave që janë shitur deri tani janë blerë nga tifozët rusë.

Faza e parë e shitjes së biletave nisi më 14 shtator dhe ishte e ndarë në dy periudha. Deri më 12 tetor tifozët mund të bënin kërkesat e tyre për biletat, apo abonimet, të cilat më pas u jepeshin personave të zgjedhur në mënyrë rastësore. Më 16 nëntor nisi periudha e dytë e shitjes së biletave, të cilat janë dhënë në bazë të radhës së kërkesës së bërë.

Faza tjetër e shitjes së biletave do të nisë në datën 5 dhjetor, vetëm 4 ditë pas hedhjes së shortit. Edhe kjo fazë do të jetë e ndarë në dy periudha; e para do të zgjasë deri më 31 janar dhe shpërndarja do të bëhet nëpërmjet një shorti, ndërsa periudha e dytë do të jetë nga 13 marsi deri më 3 prill dhe shitja e biletave do të bëhet sipas radhës së kërkesës.

Faza e tretë e shitjes së biletave të Kupës së Botës do të nisë më 18 prill e deri në mbyllje të Botërorit.

Top Channel