Ekspozita Kuq e Zi, Muzeu Historik përkujton Pavarësinë

28/11/2017 15:01

105-vjetori i Pavarësisë është festuar në formën e një ekspozite në Muzeun Historik Kombëtar. Ashtu si çdo vit u sollën në vëmendje firmëtarët e Pavarësisë, sendet personale të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, si dhe në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Koleksionistëve u ekspozuan 30 flamuj të periudhës së pavarësisë.

“Kjo është një ekspozitë e veçantë, sepse përfshin shumë elementë të cilët ne i kemi gërshetuar për të treguar rrugëtimin e pavarësisë së Shqipërisë. Dhe Shtetndërtimin e shtetit shqiptar, pra jemi fokusuar më tepër në vitin 1912, dhe deri në mesin e viteve 20”, shprehet Dorian Koçi, Drejtor i MHK.

Ndër të tjera janë dy objektet muzeale më të rëndësishme në këtë ekspozitë.

“Këtu një vend të veçantë zë pena origjinale, me të cilën është nënshkruar akti I pavarësisë apo edhe aparati mors në të cilën janë dhënë telegramet e ndryshme drejtuar qeverive evropiane për njohjen e Shqipërisë, apo edhe mes qyteteve dhe krahinave të ndryshme shqiptare”, thotë Dorian Koçi.

Fëmijët pjesëmarrës i dhanë muzeut ngjyrat e festës kuqezi. Festë që është përqafuar nga pothuaj të gjitha institucionet e që do vijojë edhe me traditën e festimeve gjatë Natës së Bardhë në kryeqytet.

Top Channel