Revista “Time” do të ketë pronarë të rinj, përfshirë vëllezërit miliarderë Koch.
Kompania mediatike “Meredith” njoftoi se kishte rënë dakord të blinte botuesin e revistës 95-vjeçare, “Time Inc.” për 2.8 miliardë dollarë.
Blerja e biznesit të revistës legjendare i jep “Meredith” kontrollin e dhjetëra titujve të tjerë të mëdhenj, si “People”, “Sports Illustrated”, “Fortune” dhe “Entertainment Weekly”.
“Meredith” boton aktualisht disa revista të rëndësishme, mes të cilave “Parents”, “Shape” dhe “Better Homes & Gardens”.
Dy kompanitë mediatike vlejnë thuajse njësoj në bursa. Për të financuar marrëveshjen, “Meredith” po merr borxhe serioze prej rreth 3.6 miliardë dollarësh. Ajo planifikon t’i shesë një pjesë domethënëse të biznesit, me vlerë 650 milionë dollarë, një kompanie në pronësinë e Charles dhe David Koch.
Vëllerzërit Koch janë donatorë të mëdhenj të Partisë Republikane dhe kauzave konservatore. Në një deklaratë, “Meredith” tha se vëllezërit Koch nuk do të kenë një vend në bordin drejtues dhe as nuk do të ndikojnë në operacionet editoriale apo menaxheriale të “Meredith”.
Revista “Time” ka qenë prej kohësh një kolos mediatik, me revista të përjavshme në duart e miliona njerëzve në botë. Titujt e saj kanë ndikuar ndjeshëm në mënyrën sesi njerëzit kanë absorbuar lajmet, sportin, argëtimin dhe kohën e lirë.
Ajo u bë shumë më e fuqishme në vitin 1989, pas bashkimit me “Warner Communications”, për të krijuar “Time Warner”, kompaninë që zotëron tashmë CNN-in. Asokohe ishte kompania më e madhe mediatike në vend. Por, Amerika i braktisi revistat në kohën e internetit dhe “Time Inc.” është përpjekur jo pak të mbijetojë si kompani e pavarur, që nga viti 2014. Ajo vazhdon të humbasë abonentë dhe parà publicitetesh.
Top Channel