Restaurimi i Apollonisë; Ndërhyrja me ndihmën e Bashkimit Europian

27/11/2017 12:30

Apolonia është një ndër 30 qytetet me e influencë në vendin tonë gjatë periudhës antike. Themeluar në fillim të shek IV pas erës sonë, ky sit arkeologjik ka tërhequr gjithnjë vizitorë për historinë e lashtë dhe vlerat kulturore që mbart.

Si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, Parku i Apollonisë tërhoqi jo vetëm vëmendjen e qeverise shqiptare për restaurimin e kësaj zone historike, por edhe të Delegacionit të Bashkimit Europian duke ofruar rreth 1 milion euro investime, një paketë integrale që prek ndërhyrjet në manastir, në galerinë e skulpturave, parkim, monumentet antike e deri tek pjesa teknike si kabina elektrike dhe depo e ujit.

“Jemi sot këtu për ta evidentuar edhe një herë këtë fakt se si kane vajtur këto punime, si ecën puna në Parkun arkeologjik të Apollonisë. Sigurisht parashikojmë edhe fazën tjetër të investimeve. Jemi duke punuar për projektin e pikturave murale në Kishën e Shën Mërisë dhe në trapezari, sigurisht që do të jetë objekti i investimeve të fazave të ardhshme”, u shpreh Arta Dollani, Drejtore e Institutit te Monumenteve.

Parku i Apollonisë i restauruar u çel zyrtarisht në prill të këtij viti, ndërsa duket se rehabilitimi ka ndikuar në shtimin e vizitorëve.

“Çdo vit kemi një rritje eksponenciale të numrit të vizitoreve që vijnë në parkun e Apollonisë. Patjetër që promovimi i siteve arkeologjike të Shqipërisë është bërë me një fuqi më të madhe në 2-3 vitet e fundit, pasi janë site qe ia vlen të vizitohen. Njerëzit kanë kuriozitet që t’i shikojnë, janë pjesë e trashëgimisë kulturore ende të pazbuluar nga shumë vende të Europës, kështu që Shqipëria në vitet e ardhshme do të jetë një destinacion i preferuar për turizmin kulturor”, u shpreh Arta Dollani.

Investimet do të shtrihen shumë shpejt edhe në Parkun e Bylisit, për ta kthyer edhe këtë zonë në një pikë tjetër të vizitueshme.

Top Channel