Monedha virtuale Bitcoin, ka arritur në një nivel rekord prej 9.700 dollarësh, pas një rritjeje prej 4.5 përqindësh të hënën. Lëvizja e con atë 20 për qind mbi nivelin në të cilin ndodhej të premten sipas bursës së shkëmbimit të bitcoin me bazë në Luksemburg, bitstamp.
Ndërkohë që monedha virtuale e ka nisur vitin me rreth 1 mijë dollarë. Monedha virtuale është kryesisht e parregulluar dhe anashkalon sistemet tradicionale bankare. Fuqizimi i saj është një shqetësim jo i vogël për rregullatorët ndërkombëtarë. Kina dhe Koreja e Jugut kanë ndaluar lançimin e çdo monedhe të re virtuale dhe kanë mbyllur bursat në të cilat ato këmbeheshin.
Drejtori ekzekutiv i JP Morgan, Jamie Dimon, e ka cilësuar Bitcoin në një konferencë të ditëve të fundit, si një mashtrim. “Ajo nuk është diçka reale dhe sipas gjasave do të zhduket”, tha ai. Monedha të tilla si Bitcoin, përdorin blockchain, që është një kanal online transaksionesh në një rrjet kompjuterësh anonimë në internet.
Ata nuk mbështeten nga asnjë qeveri apo Bankë Qendrore ndaj nuk ka asnjë përgjegjës për të mbështetur vlerën e tyre.
Zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane, thonë për Reuters se Bitcoin mund të shpërthejë lehtësisht dhe Bankat Qendrore mund të akuzohen se nuk kanë bërë asgjë.
Ndaj, thonë ata, ne po përpiqemi të kuptojmë nëse aktiviteti bankar në lidhje me këmbimin e monedhave virtuale duhet të rregullohet më mirë. Disa banka po shqyrtojnë mundësinë se teknologjia blockchain që mban monedhat kibernetike, mund të përdoret prej tyre ndërsa bota po i largohet transaksioneve kesh.
Top Channel