Papa Françesku viziton të hënën Mianmarin, shtet i akuzuar gjerësisht për spastrim etnik ndaj komunitetit Rohingya.
Fokusi kryesor me shumë gjasë do të jetë te përdorimi ose jo i termit “Rohingya”, nga ana e tij për të përshkruar minoritetin mysliman në vend.
Autoritetet e Mianmarit e refuzojnë termin duke nxitur kështu shqetësimet për shpërthimin e incidenteve të dhunshme. Kreu i Selisë së Shenjtë do të takohet me udhëheqësen “de facto”, Aung San Suu Kyi dhe liderin ushtarak të vendit.
Të enjten, Papa do te ndalojë edhe në Bangladesh ku pritet të takohet me një grup të vogël refugjatësh rohingya në Daka. Më 23 nëntor Mianmari dhe Bangladeshi nënshkruan një marrëveshje lidhur me kthimin e refugjatëve rohingya që u larguan për t’i shpëtuar dhunës në shtetin Rakhine të Mianmarit.
Por pavarësisht ujdisë së firmosur nga udhëheqësja birmaneze Aung Suu Kyi dhe Ministri i Jashtëm i Bangladeshit Abul Hassan Mahmud Ali situata mbetet tejet e vështirë.
Agjencia e Kombëve të Bashkuara për Refugjatët pretendon se kushtet ne Rakhinë nuk sigurojnë kthim të qëndrueshëm. Mbi 600 mijë veta kanë ikur nga Mianmari në Bangladeshin fqinj, i cili gjithashtu po përballet me një krizë në përpjekjen për të strehuar rohingyat.
Top Channel