Gjermani, bisedimet për koalicionin nisin vitin e ardhshëm

27/11/2017 16:29

Bisedimet për krijimin e një tjetër koalicioni me bazë të gjerë në Gjermani, me socialdemokratët, mund të mos fillojnë deri vitin e ardhshëm, sipas një zyrtari të lartë të kampit konservator të Angela Merkel.

E nëse ndodh kjo do të zgjatet pasiguria në ekonominë më të madhe të Evropës. Merkelit, mandati i katërt i të cilës në detyrë u vu në dyshim një javë më parë, kur bisedimet tre palëshe për koalicion me demokratët e lirë pro biznesit dhe të gjelbrit dështuan, iu kthye shpresa të premten nga hapja e social demokratëve për bisedime për një koalicion të mundshëm.

Nën presion intensiv për të ruajtur stabilitetin dhe për të evituar zgjedhjet e reja, Social demokratët, rishikuan premtimin e tyre për të dalë në opozitë dhe pranuan të diskutojnë mbështetjen e një qeverie të Merkelit, duke ngritur perspektivën e vazhdimësisë së një koalicioni të gjerë, që ka qeverisur vendin për katër vitet e shkuara, ose të një qeverie pakice.

Por, zëvendëspresidentja e kristian-demokratëve të Merkelit, Julia Kloeckner, tha se bisedimet mund të mos fillojnë deri pas vitit të ri, kohë kjo kur edhe do të kalojnë tre muaj nga zgjedhjet kombëtare në të cilat dy partitë më të mëdha pësuan humbje të ndjeshme.

Në 12 vitet e lidershipit të Merkelit, partnerët më të vegjël në koalicion, kanë parë shpërblim të munguar nga votuesit për bashkimin në qeverisje dhe social demokratët do të donin ta evitonin ripërjetimin e kësaj eksperience.

Sidoqoftë, lideri social demokrat, Martin Schulz ka premtuar se çdo vendim do të vendoset përballë votës së anëtarësisë së partisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA