Lëvizja ‘Vetëvendosje’ shënoi fitore të rëndësishme në Prishtinë dhe Prizen, duke marrë dy qytetet më të mëdha të Kosovës, pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë.
Shpend Ahmeti siguroi mandatin e dytë për të drejtuar Komunën e Prishtinës, duke mposhtur Arban Abrashin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas konfirmimit të fitores, Ahmeti tha se tashmë ka shumë punë për të bërë, pas besimit që i ridhanë qytetarët.
Në Prizren, Mytaher Haskuka, nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, fitoi ndaj Shaqir Totaj të PDK-së, megjithëse mori më pak nga votat me kusht, pasi kishte siguruar një diferencë komode që më herët.
Ndërsa Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka nisur festën në Prishtinë dhe Prizren, LDK dhe PDK, dy humbësit respektivë, thanë se nuk e pranojnë rezultatin.
Një ditë pasi Gjykata e Lartë nuk pranoi rinumërimin e plotë të votave, këto dy forca politike kanë kërkuar pikërisht këtë. LDK dhe PDK thanë se do të përdorin çdo mjet ligjor për të rinumëruar votat, në mënyrë që të respektohet vullneti i qytetarëve.
Top Channel