Në Rusi, mediet që marrin fonde nga jashtë do të konsiderohen tashmë agjente të huaja, e ndaj tyre do të vendosen sanksione.

Me firmën e tij, Vladimir Putin e ktheu në ligj propozimin e miratuar të mërkurën nga Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, me 154 vota, ndërsa kishte marrë më parë “dritën jeshile” të Dumës, më 15 nëntor.

Brenda pak orësh, Ministria e Drejtësisë u dërgoi paralajmërime disa shërbimeve të Radios Europa e Lirë.

“Në letër, – thotë “Zëri i Amerikës”, – nuk shpjegohen qartazi kufizimet e mundshme, por ligjvënësit pretendojnë se media mund të jetë subjekt i deklarimit të hollësishëm financiar dhe kërkohet që materialet e publikuara të cilësohen si prodhim i agjentit të huaj”.

Përveç kësaj radioje, lista “e zezë” e Moskës përfshin Zërin e Amerikës, CNN-in dhe transmetuesin ndërkombëtar gjerman, Deutsche Welle.

Duke folur pas lajmit, presidenti i Radios Europa e Lirë, Thomas Kent u shpreh se “nuk mund të spekulojmë në këtë moment mbi ndikimet që do të ketë kjo lëvizje, duke qenë se asnjë organizatë nuk është emëruar tamam si ‘agjent i huaj’ dhe nuk janë bërë të ditura ende kufizimet që mund t’u vihen ‘agjentëve’ të tillë”.

“Mbetemi të përkushtuar ndaj punës sonë gazetareske, me qëllimin t’i ofrojmë audiencës rusishtfolëse lajme të sakta dhe objektive”, shtoi ai.

Zyrtarët në Rusi e kanë cilësuar ligjin si “përgjigje simetrike” ndaj asaj që e quajnë trysni amerikane ndaj medieve ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT (Russia Today) u urdhërua të regjistrohej në Shtetet e Bashkuara si “agjent i huaj”. Lëvizje kjo, e konsideruar nga Putin si sulm ndaj lirisë së fjalës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA